23:27 / E Mërkurë, 24 Prill 2024 / S Z

Abdixhiku: Kurti i ndau dhe përçau shqiptarët në Maqedoninë Veriore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka komentuar zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.  Abdixhiku ka thënë se sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh dhe do të ishte një rezultat historik.

Ndërsa ka thënë se në këtë ndarje, Kryeministri Albin Kurti dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh. Do të ishte rezultat historik.

Por shqiptarët u ndanë.

Në këtë ndarje, Kryeministri popullist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal.

Fituesit i uroj që pavarësisht sulmeve institucionale nga Kosova, ruajtën maturinë. Ruajtën Kosovën. Humbësit, le të shikojnë nga përfaqësuesit e vet që u shndërruan në instrumente populliste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje – nuk di tjetër.

Kosova, duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare! Kaq duhet të jetë roli ynë normal! Të ndihmojmë jo të ndajmë. Rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim!