Abdixhiku: LDK do të merr fitore nga mërgata edhe në votim sikurse në regjistrim

Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka bërë një apel të fuqishëm drejtuar bashkatdhetarëve në diasporë, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të mërgatës, duke nënvizuar se nga 104,924 qytetarë të regjistruar, rreth 40,000 prej tyre janë mbështetës të LDK-së.
Ai theksoi se kjo është vetëm fitorja e parë dhe se tash është koha për të shënuar fitoren e dytë, që do të çojë LDK-në drejt fitores së madhe në zgjedhjet e vitit 2025.
“Procesi i votimit ka nisur, dhe regjistrimi juaj duhet të shndërrohet në votë për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kjo është shpresa e parë dhe e fundit për Republikën e Kosovës,” tha Abdixhiku, duke kërkuar që diaspora të bëhet pjesë e ndryshimit që po afron.
Ai gjithashtu theksoi arritjet e LDK-së gjatë katër viteve të fundit, duke përmendur riorganizimin e partisë dhe krijimin e 80 nëndegëve të reja.
“Ne kemi punuar shumë dhe tani jemi 30 ditë larg ndryshimit. Mërgata duhet të jetë pjesë e këtij ndryshimi,” tha ai.