75 Mall Live Search
11:54 / E Hënë, 01 Korrik 2024 / AR

Abdixhiku me telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së Ismail Kadare

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dërguar telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare.

Abdixhiku në letrën e tij ka shkruar se Kadare ka qenë ai i cili për shumë dekada i ka dhënë letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsin.

“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional”.

Postimi i plotë:

“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional.Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe.Ai ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare. Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë.Kadare, ka fituar çmime dhe njohje të panumërta për mjeshtërinë e tij në letërsi, e po ashtu ai ishte përmendur shumë herë edhe si kandidat potencial për Çmimin Nobel në Letërsi.Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm.Po ashtu, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kujtojmë me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm.Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Dritë pastë shpirti i tij!”./Indeksonline/