20:58 / E Enjte, 23 Dhjetor 2021 / LB

Abdixhiku në 32 vjetorin e LDK-së: Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar 32 vjetorin e themelimit. Kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku ka thënë se i duhet të tërheqë vëmendjen e secilit anëtar të LDK-së për sfidat me të cilat përballet Republika jonë.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se Kosova po udhëhiqet nga popullistë që s’zgjedhin mjete për pushtet, e toksikuar nga diskursi politik e polarizuës në vend, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj e zhvillues në vend, e sipas tij, as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme dhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradiacional.

“Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo po përdoret si platformë e revansheve historike ndaj të kaluarës së lavdishme të lëvizjes sonë popullore që sot po i shënon 32 vjet”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë i tij:

Fjala ime e plotë në 32 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Të dashur anëtarë e struktura të LDK-së,

Të dashur themeltarë të lidhjes tonë,

Të dashur bashkëmendimtarë e bashkëpartiakë,

Zonja e zotërinj,

Më lejoni që t’ju uroj mirë se ardhje në shënimin e 32 vjetorit të themelimit të formacionit politik, demokratik e pavarësist të Kosovës; të shenjës së parë pluraliste në gjithë Evropën Juglindore; në organizimin më të madh nacional të shqiptarëve të Kosovës, në ditëlindjen e 32-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Fundi i vitit 1989, për pjesën më të madhe të Evropës ishte periudhë e rilindjes së demokracisë e vet lirisë njerëzore si rrjedhojë natyrale e rënies së sistemit komunist e totalitar që për dekada kishte mbajtur të shtypur popuj gjithandej Evropës. Kosova, shqiptarët këtu, s’bënin përjashtim. Një muaj pas rënies së Murit të Berlinit, saktësisht më 23 dhjetor të vitit 1989, intelektual të shquar të kohës, kishin nisur rrënimin e murit të shtypjes shekullore ndaj popullit të Kosovës.

Si përgjigje ndaj thirrjes monumentale të historisë, këta themeltarë të orëve të rënda, kishin krijuar lëvizjen më të madhe e më domethënëse historike të shqiptarëve të Kosovës, kishin krijuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në krye të kësaj besëlidhje e kësaj lëvizje popullore, qëndronte prijësi ynë historik, ati themeltar i shtetit të Kosovës, Presidenti ynë, Dr. Ibrahim Rugova.

Lindja e LDK-së, ishte lindje e aspiratave të artikuluara politike për liri, për pavarësi, për demokraci. Ishte lindje e përpjekjes sonë kolektive për jetë të lirë, të dinjitetshme, të pavarur, në shtetin e Republikës së Kosovës.

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës shënon, nderon dhe ndërton të katër dekadat e saja vepruese.

1. Shënon dekadën e parë të viteve të 90-ta, kur nisi projektet e mëdha identitare e organizative të shtetit të Kosovës. LDK organizoi “Deklaratën e 2 Korrikut”, të vitit 1990; organizoi Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit të vitit 1990; organizoi “Referendumin Popullor” të vitit 1991. Në këto ngjarje, dhe të tjera, programi politik i LDK-së u bë projekt nacional i Kosovës.

Si rrjedhojë u krijua sistemi i pavarur qeveritar, sistemi institucional i financimit, sistemi i arsimit, i shëndetësisë, sistemi i informimit dhe ai i mbrojtjes e sigurisë. Krijimi, udhëheqja dhe implementimi i këtij organizimi – në Kosovë e në mërgatë pa dallim – nga burrat e gratë më të dedikuar të Kosovës, një pjesë e madhe e të cilëve dhanë dhe jetë e kaluan nëpër faza të ndryshime persekutimi, ishte bazë e mbijetesës shoqërore në vend, ishte bazë e solidaritetit tonë kolektiv, ishte bazë e mosnënshtrimit tonë popullor.

Ndërkaq politika përbashkuese e Ibrahim Rugovës, politika e tij e paqes, e durimit e insistimit kokëfortë për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës, u bë udhërrëfim origjinal i rrugëtimit tonë historik drejt lirisë. Organizimi i sistemeve të LDK-së u bë shtyllë e luftës çlirimtare nëpër çdo fshat e qytet të Kosovës; politika rugoviste përballë represionit militar e gjenocidial të Serbisë në Kosovë u bë ftesë e intervenimit ndërkombëtar nga aleatët tanë në SHBA e Evropë. Rezistenca e shqiptarëve, aleanca perëndimore e kurorëzuar në intervenim ushtarak të NATO-s, si dhe vet liria e fund shekullit 20, mbajnë vulën e LDK-së.

2. Në dekadën e dytë, dekadën e pas lirisë, LDK ndërtoj dhe udhëhoqi rrugëtimin tonë fillimisht për rindërtim e më pas dhe për pavarësi. Mbështetja masive popullore e fillim dekadës së dytë, ishte konfirmim i mbështetjes së pandryshueshme qytetare për misionin historik të nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe prijatari Ibrahim Rugova.

Në këtë mision historik, LDK udhëhoqi me formimin e institucioneve të reja shtetërore, me krijimin e partneriteteve me misionet mbikëqyrëse ndërkombëtare, me rimëkëmbjen shoqërore gjatë tranzicionit të vështirë, me ndërkombëtarizimin e çështjes së statusit të Kosovës, me bisedime sa patriotike aq edhe profesionale, e me mirëmbajtjen e aleancave nëpër kryeqendrat botërore. Ky mision u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, e me njohjen ndërkombëtare të realitetit shtetar të Republikës së Kosovës. Pavarësia e Kosovës, mbanë vulën e LDK-së.

3. Në dekadën e tretë, LDK pati rol thelbësor në forcimin e shtetësisë së re të Kosovës. Vazhdoj me kontributin prijatar në proceset e anëtarësimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare politike, ekonomike, kulturore e sportive. Ndërtoj shtyllat e orientimeve kontraktuale me BE-në, si aspiratë e patjetërsueshme politike, si dhe kontribuoj në zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror në nivel qendror e lokal pa dallim. Shtetndërtimi i Kosovës, mbanë vulën e LDK-së. Kauzat e LDK-së ishin kauza të një shtetit të lirë, të pavarur e sovran, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shërbim të kësaj kauze, LDK u vendos përballë frymëve populliste, përdoruese e keqpërdoruese, që Kosovën e shndërruan jo rrallëherë në fushëbetejë të papërgjegjësisë politike; çmimet e së cilës i paguajmë edhe sot.

Të tri dekadat e para u ndërtuan nga veprimtarë e veprimtare të devotshëm e patriotik, sakrifikues e atdhedashës. Prandaj sot, ne nderojmë secilin anëtar e mbështetës tonin, që nga dita e parë, deri tek kjo e sotmja – pa dallim – që në periudha e kërkesa të ndryshme kohore, i dhanë LDK-së e vet Kosovës gjithë potencialin e vet njerëzor e veprues.

Mbi të gjitha, sot nderojmë gjithë ata që në aktin më të lartë patriotik flijuan jetën në altarin e Republikës; si dhe nderojmë gjithë ata të cilëve në pabesinë e hijeve të territ e krimit, ju mor jeta.

Nderojmë atin tonë themeltar, Presidentin Ibrahim Rugova; narracioni i të cilit mbetet udhërrëfim për ne dhe për gjeneratat që vijnë. Sot e çdoherë nderojmë edhe gratë e burrat e LDK-së që s’janë me ne e që u morën nga ne. Puna dhe angazhimi tyre mbetet motiv për rrugëtimin tonë politik e shtetëror.

Nderojmë të gjitha strukturat e mëparshme të LDK-së, të të gjitha niveleve, që shërbyen drejtë, me nder dhe me dinjitet në familjen tonë politike. Kjo shtëpi e madhe e demokracisë, është e nderuar dhe me fat që në gjirin e vet ka pasur njerëz si ju. Do të jetë me fat dhe e nderuar kur radhëve të saj e rrugës së trasuar nga ju, do t’i shtohen të rinj e të reja, burra e gra nga çdo anë e Kosovës. Sepse kjo është pasuria jonë e vërtetë. Njerëzit e LDK-së. Ideja e LDK-së, trashëgimia e LDK-së.

Të dashur veprimtarë e veprimtare,

Zonja e Zotërinj,

Unë kam nderin, privilegjin dhe përgjegjësinë e madhe t’i prij formacionit tonë politik në këtë pjesë të dekadës së katërt. Ndjej nder dhe privilegj, sepse në botën politike shqiptare, s’mund të ketë gjë më kulmore se sa vazhdimi i angazhimit tre dekadash të nisur më 23 dhjetor të vitit 1989. Ndjejë përgjegjësi, dhe përgjegjësi të madhe, për rolin që LDK duhet të ketë në skenën politike kosovare; jo për fatin e vet politik, por për fatin e të ardhmes së Kosovës. Dekada e katërt është dekadë e testit të Kosovës pro-perëndimores, është dekadë e anëtarësimit në NATO e rrugëtimit për në BE. Është dekadë e zhvillimit, modernizimit, është dekadë e progresives kundrejt popullizmit.

Sot, në këtë përvjetor, më duhet të tërheqë vëmendjen e secilit anëtar të LDK-së për sfidat me të cilat përballet Republika jonë. E udhëhequr nga popullsitë që s’zgjedhin mjete për pushtet, e toksikuar nga diskursi politik e polarizues në vend, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional. Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo po përdoret si platformë e revansheve historike ndaj të kaluarës së lavdishme të lëvizjes sonë popullore që sot po i shënon 32 vjet.

Prandaj prezenca e LDK-së si faktor kyç në shtet është jetike. Yjet politike, siç i dhanë LDK-së përgjegjësinë për organizmin për liri, për pavarësi, për demokraci e shtetndërtim, do t’i japin dhe përgjegjësinë për ankorimin e Kosovës në familjen Evropiane.

Dhe në këtë përgjegjësi udhëheqëse, ne duhet të kujdestarojmë me fanatizëm misionin tonë politik. LDK duhet t’i ruajë parimet themelore të partisë së djathtë, nacional-demokratike, me orientime të qarta euro-atlantike. LDK, në dekadën e katërt duhet të jetë parti moderne, e kauzave të reja, integruese në familjen euro-atlantike, zhvillimore në nevojat e shekullit 21; transformuese në ritmet shoqërore e përgjegjëse ndaj kërkesave të reja, të panjohura, të së ardhmes që po na ndërtohet shpejtë. Në konkurrencën e tanishme politike, LDK duhet të ruajë me fanatizëm origjinalitetin e vet, të njerëzve të ndershëm, patriotë, të dijshëm, të urtë por kokëfortë e insistues për fatin e popullit dhe të vendit tonë. E njerëzve që gjejnë gjuhën e bashkë komunikimit e unitetit shoqëror në Kosovë, e që marrin vendime të matura, të guximshme, historike sikurse të tri dekadave të shkuara.

Mbi të gjitha, LDK duhet të gjejë e kultivojë pro aktivitetin e vet politik. Jo për të qenë forcë plotësuese e ndonjë partie tjetër, as për të kërkuar rahatinë opozitare, por për të qenë forcë prijatare larg nga partitë e tjera. Ky është vendi ynë origjinal. Ky është misioni ynë.

Prandaj në këtë rrugëtim të ri, unë e ju, duhet të mbesim të pa kompromis në bërjen e LDK-së gati për dekadën e katërt. Unë e ju, duhet të mbesim të pa kompromis në vazhdimin e reformave që morën mbështetje të qartë qytetare në zgjedhjet e fundit. Unë e ju, duhet të mbesim insistues në ofrimin e mundësive për të rinjtë e të rejat që karrierën e vet jetësore duan ta lidhin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Unë e ju, të gjithë bashkë, duhet ta nderojmë të shkuarën, të mësojmë nga ajo, dhe ta bëjmë të ardhmen siç e kemi menduar gjithherë.

LDK s’mund të mbetet peng i argumenteve të vjetruara, s’mund të mbetet peng i gabimeve eventuale, siç dhe s’mund të mbetet peng i inercionit të së shkuarës. Lavdia e së shkuarës, sado e paarritshme që është, nuk na mjafton për rrugëtimin tonë përpara. Rrugëtimi përpara kërkon veprim të ditëve të sotshme, me vullnet dhe energji të ditëve të para.

Në vitin e 32-të tonin, LDK mori dy rezultate zgjedhore. Atë të 14 shkurtit, dhe atë të 14 nëntorit. Të parin si rezultat më të rëndin historik. Të dytin si rikthim tonin politik. Janë dy 14-she, 9 muaj larg njëra tjetrës, që e vendosin LDK-në në dy anë të kundërta të mbështetjes popullore. Dhe nga këto dy anë, përveç se ne duhet të marrim një mësim të vlefshëm e rikujtues gjithherë për fatin që një parti merr pavarësisht viteve që mund t’i ketë, duhet të marrim udhërrëfimin e dhënë nga qytetarët tanë për të ardhmen që mund ta kemi nëse prijmë dhe nëse dëgjojmë.

Në këtë prirje e dëgjim, ditëlindjen e 32-të tonën politike po përmbyllim me festë. Prandaj sot, urojmë fitoret në Prishtinë me Përparim Ramën, në Pejë me Gaz Muhaxherin, në Lipjan me Imri Ahmetin, në Viti me Sokol Halitin, në Fushë Kosovë me Burim Berishën, në Istog me Ilir Feratin, në Junik me Ruzhdi Shehun dhe në Dragash me Bexhet Xheladinin. Urojmë po ashtu fitoren e 209 asambleistëve nëpër Kosovë; dhe garat e drejta e të drejtpërdrejta të kandidatëve tanë, strukturave tona, gjithandej nëpër Kosovë. Le të jetë kjo në bazë e mirë e fitoreve të ardhshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për të arritur këtë fitore të madhe, ne kemi nisur procesin e riorganizimit të brendshëm strukturor e përfaqësues; për ta bërë LDK-në një parti me funksion të shtrirjes së mirë nëpër gjithë Kosovën, e parti që aktivitetin e vet politik e vendosë në shërbim të idealeve. Po ashtu, ne kemi nisur dhe hartimin dhe formësimin e programit tonë të ri politik, që do t’i japë frymë e kahje zhvillimit të gjithmbarshëm në Kosovë. Kemi hapur dyert për njerëz të rinj, kemi nisur procesin e regjistrimit të anëtarësisë, kemi funksionalizuar shkollën politike, e kemi nisur trasimin e rrugës drejt fitores së madhe.

Kjo fitore e madhe s’është e lehtë; por ajo duhet t’i vijë Kosovës sa më parë. Për ta bërë këtë, ne duhet t’i kthehemi qytetarëve tanë; të njëjtëve që për tri dekada na dhanë mbështetje sepse besojnë e mendojnë si ne. Sepse ne, besojmë e mendojmë si ta. LDK ka potencial të jashtëzakonshëm në radhët e veta për të rindërtuar këtë lidhje. LDK ka potencial të jashtëzakonshëm për të afruar njerëz, ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar ura të udhëtimeve të mëdha; ka potencial të jashtëzakonshëm për prirje. Si parti e vlerave nacionale e euroatlantike, si prijatare e ndryshimeve të mëdha, LDK-së i takon të bëjë rrugën përpara.

Në këtë 32 vjetor, ftoj secilin anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të angazhohet në misionin tonë të ri historik; fitoren e madhe të dekadës së katërt, që përmbushë ëndrrën tonë politike të ditëve të para: Kosova një shtet i lirë, i pavarur e sovran, i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zoti e bekoftë Kosovën.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Urime dita e themelimit! Na priftë e mbara.

Lumir Abdixhiku

Prishtinë, 23 dhjetor, 2021