75 Mall Live Search
09:05 / E Enjte, 04 Korrik 2024 / MSH

Abdixhiku, në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së: Pa mbështetjen e tyre, vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka uruar ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt.

“Edhe për Kosovën SHBA-ja ka qenë, është dhe do mbetet vend aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-në është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, presidentit historik Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vizioni politik yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat evro-atlantike”, thuhet në mesazhin e Abdixhikut.

Ky është mesazhi i plotë:

Mesazhi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës:

“Urime Dita e Pavarësisë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës

4 korriku i vitit 1776, shpallja e pavarësisë së SHBA-së pa dyshim shënon datën e lindjes së një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-ja është themeluese dhe pishtare e së drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë.

Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt. Ato janë motiv dhe model i shumë popujve anekënd globit për liri, paqe e demokraci.

Edhe për Kosovën SHBA-ja ka qenë, është dhe do mbetet aleate e përhershme strategjike, pa mbështetjen e të cilës vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të republikës, presidentit historik Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vizioni politik yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat evroatlantike.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë.

Urime Ditën e Pavarësisë SHBA!

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë miqësinë midis dy vendeve tona!”