Abdixhiku në Gjakovë: Me Shefqetin, Gjakova do të ketë udhëheqjen që meriton

Në tubimin në Gjakovë për zgjedhjet e 12 tetorit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, Shefqet Shehun.
Abdixhiku e vlerësoi Gjakovën si simbol të qytetarisë shqiptare dhe theksoi se qyteti ka nevojë për zhvillim dhe investime.
Sipas Abdixhikut, me Shefqetin Gjakova do të ketë udhëheqjen që meriton.
Postimi i plotë:
Sonte në Gjakovë prezantuam kandidatin tonë për Kryetar, Shefqet Shehun, si dhe listën prej 36 kandidateve për Kuvendin Komunal të Gjakovës.
Gjakova është simbol i qytetarisë shqiptare. Është qyteti i arsimit, i dijes, i intelektualëve. Është qyteti i rezistencës dhe i sakrificës. Është qyteti i mikpritjes dhe i dinjitetit. Është qyteti që gjithmonë ka ditur të japë shembull për Kosovën, që gjithmonë ka ditur të udhëheqë me krenari, që gjithmonë ka ditur të qëndrojë i fortë edhe në ditët më të vështira.
LDK mbetet adresa e shpresës, e zhvillimit dhe e avancimit të qyteteve tona. Me Shefqetin dhe ekipin e tij të përkushtuar, Gjakova do të ketë udhëheqjen që meriton; të ndershme, punëtore dhe vizionare.
Na priftë e mbara./Indeksonline/