Abdixhiku në Prishtinë: Kryeqyteti do të jetë prioritet absolut i qeverisjes së LDK-së
Kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një tubim në Prishtinë deklaroi se kryeqyteti është bazë e fortë politike e LDK-së dhe duhet të ndalet bllokimi institucional ndaj tij
Abdixhiku theksoi se LDK vjen me plan konkret dhe u zotua për 1.5 miliard euro investime në Prishtinë gjatë katër viteve, përfshirë Unazën e Jashtme, Qendrën Kombëtare të Sportit, Parkun Teknologjik, projekte madhore kulturore, arsim gjithëditor dhe investime në shëndetësi.
“Sonte po flasim nga Kryeqyteti i Republikës, nga qyteti që jo vetëm e ka historinë e shtetit brenda vetes, por e ka dëshmuar edhe në zgjedhje se di të marrë vendime të mëdha. Prishtina ka folur. Prishtina ka zgjedhur. Dhe Prishtina, në zgjedhjet e fundit lokale, na ka dhënë një fitore të qartë, të pastër dhe të padiskutueshme. Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë parti e parë. Dhe kjo nuk ishte rastësi, por rezultat i besimit, i punës dhe i vizionit. Sot, Prishtina nuk është vetëm Kryeqytet administrativ. Prishtina është bazë e fortë politike e LDK-së. Është qyteti që tregoi se normaliteti fiton, se qetësia politike fiton, se programi fiton mbi zhurmën. Dhe pikërisht për këtë arsye, sot flasim nga këtu, sepse sa herë Kosova ka pasur nevojë për drejtim, Prishtina ka ditur të udhëheqë. LDK nuk është parti e rastit në këtë qytet. LDK është themel i Prishtinës moderne. Është fryma që e mbajti këtë qytet gjallë edhe kur nuk kishte shtet, edhe kur nuk kishte institucione, edhe kur shpresa dukej e largët. Këtu është ndërtuar filozofia politike e LDK-së, filozofia e durimit, e mençurisë dhe e orientimit perëndimor. Dhe sot, në një moment historik për Kosovën, kjo filozofi po rikthehet si domosdoshmëri. Sepse sot nuk kemi vetëm krizë politike. Kemi krizë drejtimi. Kemi krizë institucioni. Kemi krizë bashkëpunimi. Për herë të parë pas shumë vitesh, Kosova ka hyrë në izolim politik, nën masa ndëshkuese, me institucione të bllokuara dhe me një frymë përçarjeje që e lodh shoqërinë. Dhe këtë e ka ndier më së shumti Kryeqyteti”, ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku theksoi se Prishtina do të shndërrohet në lokomotivë të zhvillimit kombëtar dhe se ndryshimi do të udhëhiqet nga Kryeqyteti.
Prishtina, në këto vite, nuk është ndihmuar është bllokuar. Projekte janë ndalur. Investime janë sabotuar. Vendime komunale janë penguar. Kryeqyteti është trajtuar si kundërshtar politik, jo si zemër e shtetit. Dhe kjo është e papranueshme. Prishtina nuk është pronë e asnjë qeverie. Prishtina është e Kosovës. Prandaj dua ta them qartë, pa asnjë dilemë: ka ardhur koha që Prishtina jo vetëm të mos bllokohet më, por të ndihmohet me prioritet absolut. Kryeqyteti duhet të jetë lokomotivë e zhvillimit kombëtar, jo viktimë e inateve politike. Dhe LDK është garancia që kjo do të ndodhë. Ne vijmë me plan. Vijmë me shifra. Vijmë me vizion të qartë për Prishtinën. Së bashku me Kryetarin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, jemi zotuar për 1.5 miliard euro investime në Prishtinë në katër vitet e ardhshme. Investime që nuk janë fjalë, por projekte konkrete që e ndryshojnë jetën urbane. Do ta ndërtojmë Unazën e Jashtme të Kryeqytetit, 29 kilometra gjatësi, që e çliron qytetin nga trafiku dhe e lidh zhvillimin urban me ekonominë. Do ta ndërtojmë Qendrën Kombëtare të Sportit në Bërnicë, me Stadium Kombëtar, Pallat të Sporteve, Pishë Olimpike dhe hapësira rekreative që e bëjnë Prishtinën kryeqytet sportiv të rajonit. Në mbi 60 hektarë do të ndërtohet Parku Teknologjik i Kryeqytetit, me Qendrën Kombëtare të Inteligjencës Artificiale dhe 45 milionë euro investim, sepse e ardhmja e Kosovës është dije, inovacion dhe teknologji. Kultura do të jetë pasaporta e Prishtinës. Mbi 100 milionë euro do të investohen për Teatrin e Ri Kombëtar, Operën dhe Baletin, Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe Muzeun e Paqes dhe Rezistencës. Ky qytet meriton institucione kulturore të denja për historinë dhe ambicien e tij”, potencoi kandidati për deputet.
Për fëmijët e Prishtinës, mësimi tërëditor do të shtrihet në të gjitha shkollat fillore, me 200 milionë euro investim vetëm për Kryeqytetin. Kjo është barazi reale dhe mbështetje konkrete për familjet. Në nivel kombëtar, paga dinjitoze janë zotim i qartë: koeficienti 150 për rreth 80 mijë punëtorë, rritje të menjëhershme për mësuesit, mjekët, policët dhe ushtarët. Pensionet do të rriten për 36.2 për qind dhe barnat do të jenë falas. Në shëndetësi, 500 milionë euro do të investohen për Spitalin e Ri të Kosovës, që Prishtina të jetë qendër shëndetësore moderne për gjithë vendin. Zhvillimi ekonomik nuk mund të ndërtohet mbi varësi energjetike. Prandaj do të ndërtojmë centralin e ri me gaz, në partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara. Sepse vetëm në katër vitet e fundit, Kosova ka djegur rreth një miliard euro për import të rrymës – para që sot do të mjaftonin për zhvillim urban, shkolla, spitale dhe infrastrukturë në Prishtinë. Kjo nuk është strategji. Kjo është humbje. Dhe kjo humbje do të marrë fund. Ju tashmë e keni treguar se dini të zgjidhni drejt. E keni treguar në zgjedhjet lokale, kur Prishtina u rreshtua e para dhe e bëri LDK-në forcë udhëheqëse. Sot, ky besim duhet të shndërrohet në drejtim kombëtar”, theksoi ai.

