75 Mall Live Search
18:48 / E Martë, 07 Tetor 2025 / BA

Abdixhiku në tubimin madhështor në Istog: Ilir Ferati ka treguar se si udhëhiqet një qytet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në tubimin në Istog prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj komune, Ilir Feratin.

Para qindra mbështetësve, Abdixhiku tha se Istogu është kala e pamposhtur e LDK-së dhe bastion i pandryshueshëm rugovist.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe, nuk ka ndjenjë më të fuqishme, se sa kur LDK mblidhet në kalanë e pamposhtur të saj, kur LDK mblidhet në shtëpinë e vet politike, në Istogun tuaj, në Istogun tim, në Istogun e Ibrahim Rugovës, në Istogun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Istogu i Dardanëve sot qenka ngritë në këmbë, për t’i dhënë përgjigje kushtrimit tim të djathtë! Kjo përgjigje e juaja qenka e qartë. Kjo përgjigje e juaja qenka e zjarrtë. Kjo përgjigje qenka e thjeshtë: Fitore dhe asgjë më pak më 12 tetor, që në raund të parë. Istogu i Fadil Feratit, Shaban Manajt, HakiRugovës, nuk është një qytet si çdo tjetër për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Istogu është shpirt i qëndrueshëm i vlerave tona. Është besnikëria që nuk është lëkundur asnjëherë. Është historia që nuk është ndalur asnjë ditë. Këtu, më shumë se kudo, LDK-ja është ndjenjë, është shtëpi, është gur themeli i rrugëtimit tonë kombëtar. Sonte, LDK, në këtë tubim, është në shtëpi! Këtu, çdo palë zgjedhje kanë qenë manifestim i besnikërisë, i përkushtimit, i krenarisë. Këtu, qytetarët kanë dëshmuar se nuk ka forcë që e lëkund besimin e tyre. Istogu është LDK.
Istogu është histori e lavdisë sonë politike.
Istogu është bastion i pandryshueshëm rugovist! Dhe sonte, nga kjo sallë e mbushur plot, ne flasim për të kaluarën e lavdishme, për të tashmen e sigurt dhe për të ardhmen e ndritur. Sepse Istogu i ka dhënë Kosovës jo vetëm mbështetje, jo vetëm besim, por edhe udhëheqje, edhe vizion, edhe besnikëri të pathyeshme. Ky qytet është themel i LDK-së dhe garanci e së ardhmes së saj”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së vlerësoi punën e Feratit në krye të komunës, duke theksuar se nuk ka bërë propagandë, por punë dhe se Istogu ka përparuar përkundër pengesave nga qeveria qendrore.

“Në krye të këtij rrugëtimi qëndron një njeri i punës e i përkushtimit – në krye të këtij rrugëtimi qëndron kryetari i tashëm dhe i ardhshëm i Istogut, Ilir Ferati. Në këto vite, Ilir Ferati ka treguar se si udhëhiqet një qytet. Me mençuri, me vendosmëri, me përulësi ndaj qytetarit. Dhe sot, çdo istogas e di se ky udhëheqës nuk i ka zhgënjyer. Sepse për Ilir Feratin nuk ka qenë e rëndësishme propaganda, por puna. Nuk ka qenë e rëndësishme fotografia, por projekti. Nuk ka qenë e rëndësishme fjala e madhe, por rezultati. Dhe rezultatet janë kudo. Në qendër e në fshatra, në lagje e në rrugë, në çdo cep të komunës sonë. Ai ka marrë përsipër barrën e rëndë të udhëheqjes, por kurrë nuk është ankuar. Ai ka marrë përgjegjësinë e madhe të prirjes, por kurrë nuk është fshehur. Ai ka punuar çdo ditë, me çdo projekt, me çdo vendim, për qytetin e tij; duke na bërë të gjithëve krenar pafundësisht. Istogu sot ka shkolla më të mira, rrugë më të hapura, shërbime më të afërta, sepse Ilir Feratinuk e sheh politikën si karrierë, por si shërbim. Ai nuk e sheh komunën si pronë, por si amanet. Ai është njeri i fjalës së mbajtur, njeri i besës së dhënë, njeri i vendimit të drejtë. Por nuk mund të mos e themi: rruga jonë nuk ka qenë e lehtë. Qeveria qendrore ka tentuar të bllokojë, të ndalë, të pengojë. Ministritë kanë mbyllur sytë, institucionet kanë kthyer shpinën, vetëm sepse Istogu udhëhiqet nga LDK. Ata kanë menduar se me pengesa do ta ndalin zhvillimin. Por gabuan. Sepse Istogu nuk ndalet. Sepse kur një qytet ka një udhëheqës të vendosur, kur ka një popull të bashkuar, kur ka Lidhjen Demokratike të Kosovës, asnjë qeveri nuk e mban peng dot. Istogu ka ecë përpara edhe pa ndihmën e tyre, sepse Istogu e ka pasëgjithmonë LDK-në dhe LDK-ja e ka pasëgjithmonë Istogun.
Prandaj sonte, më shumë se kurrë, kemi arsye të krenohemi. Sepse çdo pengesë është shndërruar në motiv. Sepse çdo bllokadë është kthyer në shtysë. Sepse Istogu është sot shembull i një komune që, përkundër vështirësive, ecën drejt së ardhmes me kokën lart. Dhe ky është meritë e qytetarëve dhe meritë e Ilir Feratit.
Por Iliri nuk është vetëm. Pas tij qëndron një ekip i madh, lista e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal të Istogut. Një listë me njerëz të ndershëm, me profesionistë nga çdo fushë, me mësues, mjekë, inxhinierë, fermerë, të rinj e të reja. Ky është ekipi i shpresës, i besës dhe i punës, ekipi që do ta çojë përpara Istogun edhe katër vite të tjera”, shtoi Abdixhiku.

Ndërsa kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut , Ilir Ferati, u shpreh mirënjohës për mbështetjen e qytetarëve, duke thënë se besimi në LDK është traditë në Istog që vazhdon prej vitit 1989.

Ai u zotua për fitore në zgjedhjet e 12 tetorit dhe për vazhdim të rrugës rugoviste në drejtimin e komunës.

“Besimi në LDK është traditë në Istog. Besim që është mbjellë në ’89 dhe që ka krijuar marka politike. Istog ma keni dhënë një eksperiencë të jashtëzakonshme gjatë këtyre javëve. Sot jemi këtu për të dëshmuar që rugovizmi është forca. Kemi qenë bashkë në çdo fshat, lagje e shtëpi tuaj. Përpos mikpritjes kam ndier fuqinë e këtij rrugëtimi. Me përkrahjen tuaj sigurisht që do të marrim fitoren, sepse Istogu nuk harron vendin e vet. E tillë është vendlindja e presidentit tonë”, tha Ferati.