75 Mall Live Search
20:49 / E Premte, 19 Shtator 2025 / F.R

Abdixhiku nga Juniku: Ruzhdi Shehu është zgjedhja e duhur për edhe një mandat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në një tubim elektoral në Junik, ku ka shprehur mbështetje të fuqishme për kandidatin e kësaj partie, Ruzhdi Shehun, duke kërkuar edhe një mandat për të në krye të komunës.

“Në Junik, me të parën!”, shkroi Abdixhiku, duke theksuar se Juniku i kishte dhënë besimin LDK-së katër vite më parë dhe se ky besim duhet të vazhdojë edhe më 12 tetor.

Abdixhiku vlerësoi punën e kryetarit aktual Ruzhdi Shehu, duke e cilësuar si një njeri të fjalës së mbajtur dhe të besës së dhënë.

“Ruzhdi Shehu është kryetari i punës, i fjalës së mbajtur, i besës së dhënë. Prandaj, zgjedhja është e qartë. Më 12 tetor, Juniku do të flasë me një zë,” u shpreh ai.

Sipas tij, katër vitet e ardhshme do të jenë një vazhdimësi e misionit transformues që ka nisur në këtë komunë, ndërsa qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes asaj që është bërë dhe vizionit për të ardhmen.

“Do të flasë për punën e bërë. Do të flasë për vizionin e qartë. Do të flasë për Ruzhdi Shehun. Do të flasë për Lidhjen Demokratike të Kosovës,” theksoi Abdixhiku./IndeksOnline/