75 Mall Live Search
20:22 / E Mërkurë, 17 Shtator 2025 / Z S

Abdixhiku nga Shtimja: Kjo kohë po mbaron – LDK sjell shpresë, Kastriot Shabani kryetari që ju e meritoni

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti tubim në Shtime, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Shtimes Kastriot Shabanin.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku tha se Shtimja është e madhe në zemër dhe me të ardhme për njerëzit e këtij qyteti.

“Shtimja është qyteti i familjeve të ndershme, i njerëzve punëtorë, i të rinjve që ëndërrojnë të ardhmen, i prindërve që sakrifikojnë çdo ditë për fëmijët e tyre. Ky qytet nuk është i vogël. Ky qytet është i madh në shpirt, është i madh në zemër, është i madh në kontribut për Kosovën. Shtimja është zemër e Kosovës. Nga ky qytet janë rritur gjenerata që kanë dhënë për arsimin, për bujqësinë, për kulturën. Nga ky qytet kanë dalë njerëz që kanë luftuar për vendin, që kanë dhënë gjithçka për liri dhe pavarësi. Dhe sot, ky qytet meriton që të gjithë ne të japim gjithçka për të. Sepse Shtimja nuk mund të mbetet mbrapa. Shtimja duhet të ecë përpara. Katër vitet e fundit kanë qenë të vështira për popullin e Kosovës, pa dyshim dhe për qytetin tuaj. Premtime të mëdha janë dhënë, por veprat kanë munguar. Fjalë të bukura janë thënë, por rezultatet nuk janë parë. Një qeveri që foli për ndryshim, por që solli zhgënjim. Një qeveri që tha se do të punojë për qytetarët, por në fund punoi për familjarë. Ata harruan fermerët tanë. Ata harruan mësuesit tanë. Ata harruan të rinjtë. Ata harruan qytetet tona. Dhe po, ata harruan edhe Shtimen”, tha kryetari i LDK-së, Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja sjell shpresë dhe ndryshim, duke prezantuar Kastriot Shabanin si njeriun që do ta udhëheqë qytetin me përgjegjësi dhe përkushtim.

“Por unë ju them sonte: kjo kohë po mbaron. Sepse LDK-ja është këtu. Sepse LDK-ja sjell shpresë. Sepse LDK-ja sjell ndryshim. Prandaj, sonte jam krenar që para jush prezantoj njeriun që do ta udhëheqë Shtimen në katër vitet e ardhshme. Njeriun që do ta kthejë këtë qytet në shembull të qeverisjes së mirë. Njeriun që do të punojë për secilin prej jush. Ky është kandidati ynë: Kastriot Shabani. Kastrioti është njeri i juaji. Është biri i kësaj toke. Është njeri që ka jetuar këtu, që ka parë hallet tuaja, që i njeh problemet e këtij qyteti më mirë se kushdo tjetër. Ai nuk vjen nga jashtë, nuk vjen për poste, nuk vjen për privilegje. Ai vjen për shërbim. Vjen për punë. Vjen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Në Kastriotin ju gjeni kryetarin që ju e meritoni. Ai është njeri që nuk flet shumë, por punon shumë. Ai është njeri që nuk premton gjëra të pamundura, por jep fjalën për gjëra të arritshme. Ai është njeri që nuk rri në zyrë, por del në rrugë, del në fshatra, del te njerëzit, ju takon, ju dëgjon dhe ju përfaqëson. Me Kastriot Shabanin, Shtimja do të ketë një kryetar që punon me duar të pastra, me zemër të hapur dhe me përkushtim të plotë. Por një kryetar i mirë ka nevojë edhe për një asamble të fortë. Dhe këtë asamble e ka Lidhja Demokratike e Kosovës. Sot, bashkë me kandidatin tonë për kryetar, ju prezantojmë listën e këshilltarëve komunalë. Janë njerëz të ndershëm, profesionistë, qytetarë që nuk e shohin politikën si privilegj, por si shërbim. Ata janë garancia që vizioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të kthehet në vepra konkrete. LDK është parti që gjithmonë ka ditur të qeverisë me përgjegjësi. Në kohët më të vështira, kur vendi kishte nevojë për stabilitet, ishte LDK ajo që solli stabilitet. Kur vendi kishte nevojë për shtet, ishte LDK ajo që ndërtoi shtetin. Kur vendi kishte nevojë për institucione, ishte LDK ajo që ngriti institucionet. Dhe sot, kur vendi ka nevojë për shpresë, është LDK ajo që sjell shpresë. Kur vendi ka nevojë për zhvillim, është LDK ajo që sjell zhvillim. Kur vendi ka nevojë për integrim, është LDK ajo që sjell integrim”, tha Abdixhiku.

Ndërsa, Kastriot Shabani u zotua se do të punojë për zhvillimin e Shtimes, duke e parë udhëheqjen si përgjegjësi dhe jo si privilegj.

“Ka ardhur koha të mos mendojmë për parti, por për qytetin. Më 12 tetor qytetarët do të votojnë për një të ardhme më të mirë.
Mbështetja do të bazohet vetëm në programin dhe vizionin tonë. Shtimja është qytet i qetë me potencial të madh për qytetarët e ndershëm. Pozita udhëhiqet kur shihet si pwrgjegjwsi. Ne po punojmë në shumë takime me shumë qytetarë. Ka ardhur koha të mos mendojmë për parti, por për qytetin. Le ta zhvillojmë Shtimen në dy mënyra. Më 12 tetor do të festojmë ne dhe për katwr vjet do të festoni ju qytetarët”, tha Shabani./Indeksonline/