Abdixhiku: S’mund të ketë qeveri të pakicës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk mund të ketë qeveri të pakicës, prandaj edhe nuk u formua një koalicion ndërmjet partive opozitare.
Në një konferencë për media, Abdixhiku shprehu preferencën e LDK-së që të shkohet në zgjedhje.
“Përveç se jemi vonë, qeveri të pakicës nuk mund të ketë më në Kosovë. Nga viti 1999, në Kosovë vendos shumica. LDK-ja e rithekson se në demokraci, pakica nuk mund të vendosë për shumicën” ka thënë ai.
Sipas Abdixhikut, pakica, gjithnjë duke iu referuar opozitës, nuk ndan buxhetin, nuk mund të bllokojë e as zvarritë procesin e formimit të qeverisë, ashtu siç do të duhej të funksiononte një demokraci.
“Kur s’ka shumicë, vendi duhet t’i kthehet qytetarit, sovranit”, shtoi Abdixhiku.
Ai ka thënë se sjellja e LVV-së është “marre politike”.

