75 Mall Live Search
22:01 / E Premte, 21 Qershor 2024 / FR

Abdixhiku pas vdekjes së Havës: Bashkohu në parajsën me Enverin që aq shumë e deshe e të mungoi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në facebook ka shkruar për vdekjen e Havë Maloku, gruas së Enverit.

Abdixhiku, u shprehë se Hava ishte përplot dritë e mirësi dhe se me të u shua dhe një copëz e historisë së takimeve për çdo 11 janar.

“Zonja Havë ishte një grua e fortë!

Asaj, barra e orëve të rënda, i kishte përcaktuar fatin e gjetjes së forcës përtej humbjes së madhe. Dhe këtë forcë e kishte gjetur mu siç dinte ajo, duke qenë e dashur, e buzëqeshur – duke qenë një zonjë e rëndë!

Hava Maloku na la sonte. Me të u shua dhe një copëz e historisë së takimeve për çdo 11 janar. Ishte përplot dritë e mirësi. Këtë vit, kishte gjetur forcën të ngrihej nga shtrati i fundit i saj, për të shpalosur bashkë me ne pllakën e portretin përkujtimor të Enverit, bashkëshortit të vrarë në 11 janarin e vitit të lirisë. E dinim, të gjithë, se ky duhej të ishte takimi ynë i fundit. E sado që ishte vështirë, e dinim të gjithë, ne dhe ajo, se ky duhej të ishte kujtimi e kuptimi i fundit nga kjo shtëpi e demokracisë. Pimë kafen bashkë, e përcollëm bashkë. Na la me përplot buzëqeshje. Siç bënte përherë!

E dashura Doruntinë, i dashuri Drin e Lon, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ngushëllime për humbjen e nënës suaj. Bëhuni të fortë, siç u bë ajo kur kishit nevojë për të!

Zonja Havë, bashkohu në parajsën e pasosur me Enverin që aq shumë e deshe e të mungoi!”, ka shkruar Abdixhiku.