75 Mall Live Search
16:21 / E Enjte, 27 Qershor 2019 / indeksADMonline

Abdixhiku për Ekipin Negociator: U zhbë ekipi me nipër, dajë e akraba

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se Ekipi Negociator u shpall kundërkushtetues pasi dialogu s’mund të kontraktohet dhe s’mund të delegohet.

“Dialogu s’mund të udhëhiqet nga askush tjetër veçse nga Qeveria. Shteti s’është punë axhamizmi politik. Punët e shtetit megjithatë kanë një rend”, shkroi Abdixhiku në faqen e tij në Facebook.

Ai shtoi se ekipi u zhbë bashkë me ekipet me nipër e daja, porse akoma mbetet Qeveria PAN.

“Ekipi u zhbë. Me të dhe ekipet me nipër, dajë e akraba. Jokushtetues të gjithë. Por Kosovës i mbetet ende Qeveria PAN. Kjo njollë kapjeje do të harrohej tashmë po të mos votohej buxheti gjashtë muaj më parë. Sot Kosova do të kishte një Qeveri të re që s’fshihet rrugicave të Evropës në takim me Serbinë, por që e ballafaqon atë mençur e botërisht”, shkroi Abdixhiku.

Sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim mbi kërkesën e deputetëve të LDK-së dhe VV-së për vlerësim të ligjshmërisë të disa neneve të Ligjit për Dialogun, duke vendosur që ky ligj është anti-kushtetues.