17:52 / E Shtunë, 19 Qershor 2021 / OSH

Abdixhiku përkujton Nekibe Kelmendin: Ishte emblemë identifikuese e gruas dhe nënës, që nuk u gjunjëzua asnjëherë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar ish-deputeten e LDK-së dhe ish ministren Nekibe Kelmendi, në 10-vjetorin e vdekjes së saj.

Abdixhiku ka thënë se gjurmët, sakrifica dhe puna e Nekibe Kelmendit tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë ne që të ecim përpara.

“Sot, në përvjetorin e dhjetë të ikjes në amshim – së bashku me Kosovaren e me bashkëpunëtorë, përkujtuam Nekibe Kelmendin, atdhetaren dhe veprimtaren e madhe të kauzës nacionale. Ajo ishte një emblemë identifikuese e një gruaje, e një nënë të pamposhtur që përkundër sfidave nuk u gjunjëzua asnjëherë”, ka shkruar Abdixhiku, në një postim në Facebook.

Më tej ai ka thënë se Nekibe Kelmendi tashmë ka krijuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që përkundër dhimbjes së madhe qe ia shkaktoj lufta duke ia vrarë bashkëshortin dhe dy djemtë, ajo nuk u ndal së punuari për formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës.

“Nekibe Kelmendi ka humbur një pjesë të familjes nga regjimi serb, por ka fituar një familje të madhe në Kosovë. Kosovarja, vajza e Nekibe e Bajram Kelmendit, motra e Kastriotit dhe Kushtrimit, duhet të ndihet krenare për familjen e saj.

Gjurmët, sakrifica dhe puna e Nekibe Kelmendit tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë ne që të ecim përpara”, ka shkruar Abdixhiku.