75 Mall Live Search
14:08 / E Shtunë, 05 Mars 2022 / MSH

Abdixhiku përkujton sakrificën e familjes Jashari në Epopenë e UÇK-së

Në 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari.

“Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri.

Flijimi i familjes Jashari në altarin e lirisë, ishte sakrificë ultime e gdhendur në mendjen e mësuesit Shaban Jasharit, të Komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit. Ata zgjodhëm lirinë prandaj dhe morrën përjetësinë.

Rënia heroike e tyre, përballë forcave ushtarake e paraushtarake të Serbisë, ishte kushtrim për një popull të tërë. Ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë, e për aleancat e ardhshme që do të rreshtoheshin me idealin e tyre e tonin pa dallim.

Sot, në këtë 24 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot.

Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.

Lavdi e përjetshme për Familjen Jashari!” ka shkruar Abdixhiku.