75 Mall Live Search
12:45 / E Premte, 05 Dhjetor 2025 / S Z

Abdixhiku pret ambasadorin francez Guerot, në fokus zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi këtyre proceseve, me theks të veçantë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Guérot për përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për zgjedhjet nacionale, duke theksuar mobilizimin e plotë të strukturave në nivel vendi. Ai tha po ashtu se LDK është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet nacionale, duke finalizuar listën për deputetë me figura të dëshmuara profesionale, të reja e integruese, të cilat vijnë me vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e vendit. Ai potencoi se LDK po paraqet para qytetarëve një ekip të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, që reflekton seriozitet, punë dhe përvojë; pra një listë që synon t’i japë vendit institucione stabile dhe një qeverisje zhvillimore, në shërbim të qytetarëve.

Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset shtetformuese dhe zhvillimore. Ai nënvizoi se mbështetja franceze mbetet thelbësore për avancimin e aspiratave të Kosovës drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit të plotë evropian.