Abdixhiku pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, flasin për sanksionet e vendosura ndaj Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Eirik Nestås Mathisen.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në vend, për sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe për nevojën emergjente për formimin e institucioneve funksionale të vendit.
‘’Kryetari Abdixhiku shprehu qartë qëndrimet e LDK-së në raport me situatën aktuale, duke theksuar propozimin e LDK-së dhe nevojën për një Qeveri të Unitetit si zgjidhja më e mirë për daljen nga kriza dhe për garantimin e stabilitetit institucional e politik në vend’’ thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.
Lidhur me këtë Abdixhiku shprehu shqetësimin e tij për ndikimin negativ të këtyre masave në rrugën evropiane të vendit dhe theksoi se është koha që BE-ja të rishikojë dhe të heqë sanksionet ndaj Kosovës, si një hap i domosdoshëm për të përforcuar orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Abdixhiku falënderoi përfaqësuesin Mathisen për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj demokratik dhe institucional./Indeksonline/