Abdixhiku prezanton kandidatin për kryetar të Artanës: Bajrush Ymeri, njeriu i vendit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim elektoral në komunën e Artanës, ku është pritur me entuziazëm nga një numër i madh qytetarësh.
Gjatë këtij takimi, Abdixhiku prezantoi zyrtarisht kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të kësaj komune, Bajrush Ymerin.
“Bajrush Ymeri është biri i këtij vendi, që e njeh më mirë se kushdo çdo lagje, çdo rrugë, çdo fshat. Ai nuk vjen me premtime boshe, por me përvojë, përkushtim dhe ndershmëri”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, Ymeri është i gatshëm të punojë ditë e natë për të sjellë dinjitet dhe zhvillim në komunën e Artanës.
Abdixhiku theksoi se kandidati i tyre nuk është vetëm, por mbështetet nga një listë e fuqishme për Kuvendin Komunal, të përbërë nga profesionistë, burra dhe gra të ndershëm, që e shohin politikën si shërbim, jo si privilegj.
“Le të vazhdojmë drejt fitores më 12 tetor edhe në Artanë”, përfundoi Abdixhiku, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë./IndeksOnline/