75 Mall Live Search
13:14 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / MSH

Abdixhiku: Refuzuan një qeveri të unitetit për të formuar një qeveri të pakicës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se propozimi i partisë së tij të bërë muaj më parë për krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar të Kosovës, ishte refuzuar për t’u krijuar tash një qeveri e pakicës.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, Abdixhiku ka thënë se propozimi i tij ishte i ndërtuar mbi idenë e përgjegjësisë së përbashkët dhe bashkërendimit shtetëror, kurse propozimi i Glauk Konjufcës si mandatar i qeverisë, është humbje kohe.

“Fatkeqësisht, ky propozim u refuzua me shpejtësi dhe me furi. Në vend të bashkëpunimit, u zgjodh vazhdimi i krizës, me seanca të pakuptimta, me shkelje kushtetuese dhe me një mungesë të plotë përgjegjësie institucionale”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, tashmë gjashtë muaj më pas, vendi ndodhet në një situatë të ngjashme – por më të rënduar, pa institucione, me ndarje më shumë, por me kohë pak për t’i adresuar këto sfida.

“Dhe në gjendje të tillë, në fund të këtij cikli, që më shumë i ngjanë një cirku politik, pra në fund të bllokadës tetë mujore, Kosovës, qytetarëve tanë po i propozohet si “zgjidhje” një qeveri e pakicës, për periudhë kalimtare, me pretendimin për të trajtuar çështje shtetërore”, ka thënë i pari i LDK-së.

Abdxhiku ka thënë se qeveri të pakicës nuk ka më në Kosovë.

“Nga viti 1999, në Kosovë vendosë shumica”, ka thënë Abdixhiku.