23:11 / E Mërkurë, 02 Nëntor 2022 / AR

Abdixhiku thirrje Qeverisë: Koordinim të ngushtë me Administratën Biden dhe aleatët tanë

Në kuadër të ciklit të ri debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, u takua me struktura e qytetarë të Lipjanit. Ne këtë diskutim kryetari Abdixhiku ngriti shqetësimin e përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatët.

“Kosova nuk ka pse të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve më të ngushtë ndërkombëtarë; Kosova duhet t’i ketë të dyja, edhe ligjshmërinë edhe aleatët ndërkombëtarë. Një Qeveri që sjellë vendin përballë një zgjedhje të tillë, ka dështuar që në fillim.” – tha Abdixhiku.

Duke parë gabimet e Qeverisë në këtë drejtim, kryetari Abdixhiku tha se “Qeveria e Kosovës ka dështuar që në fillim. Edhe është tërhequr nga vendimi i parë; edhe ka propozuar shtyrjen pa koordinim dhe së këndejmi pa mbështetje të faktorit ndërkombëtar”.

Gjatë takimit me qytetarë dhe struktura të LDK-së ai tha se krahas zhvillimeve të mëdha rajonale dhe kontinentale, Kosova ka nevojë për mbështetjen nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian. “Në kohë të zhvillimeve të mëdha rajonale e kontinentale, Kosova ka nevojë për mesazhe mbështetëse nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian. Do të duhej të ishim në momentet më të mira politike pas një kohe të gjatë. Kosova ka nevojë për ndihmë të aleatëve në proceset integruese euroatlantike; përkatësisht në liberalizim të vizave e në anëtarësim në NATO.” Abdixhiku shtoi se  “Ajo që më së paku që i duhet Kosovës sot, është zhgënjimi e dëshpërimi i qendrave më mike të vendit tonë me institucionet e Kosovës.”

Abdixhiku, duke ju referuar aleatëve të Kosovës, tha se “Sot ne duhej të ecnim hap me hap me ta. T’i hapnim dyert Kosovës, të siguronim njohje, anëtarësime, e investime. Deklaratat e zhgënjimit e dëshpërimit ndaj Kosovës, dëshmojnë të kundërtën dhe si të tilla, domosdo janë me pasoja të mëdha për vendin dhe shoqërinë tonë. Dhe sot duhet të pyesim veten të gjithë, çfarë interesi kombëtar qenka një distancim i tillë?”

Duke ju referuar propagandës së Qeverisë, ai shtoi: ”Udhëheqja shtetërore, në veçanti në relacion me aleatë, nuk është platformë popullizmi për turma. Është, para së gjithash, përgjegjësi e shtetarëve të mëdhenj. Por Kurti nuk është i tillë. Ai nuk i njeh as interesat e Kosovës, as domosdoshmërinë e aleancave tona.”

Në fund, Abdixhiku konkludoi se “Si LDK, përveç se shprehim shqetësimin e thellë mbi relacionet e fundit të krijuara, ritheksojmë nevojën e koordinimit të plotë me aleatët tanë. Kërkesat e tyre të sinqerta, të Administratës Biden në ShBA e të aleatëve tjerë evropianë, duhen te merren me mençuri e jo me arrogancë.”