Abdixhiku: Urdhërat e PolitByrosë nuk mposhtin demokracinë e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “sulm ndaj fjalës së lirë” vendimin e MINT për refuzimin e ankesës së Klan Kosovës për pezullim të certifikatës.
Sipas Abdixhikut, pushteti aktual dëshiron krizë dhe frikë.
“Në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë” ka thënë mes të tjerash Abdixhiku.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë. Është sulm i paranojës propagandistike ndaj vet demokracisë.
Ky pushtet do krizë. Ky pushtet do frikë.
Në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë.
Fjala e lirë do të triumfojë.
Urdhërat e PolitByrosë nuk e mundin dot demokracinë kosovare. Shoqëria kosovare ka triumfuar dhe në përballje më të rënda. Do ta kapërcejë dhe këtë.
Ftoj organet e drejtësisë, gjykatat e Republikës, të bëjnë detyrën e vet. Të mbrojnë vet demokracinë.
Urdhërdhënësit e PolitByrosë dhe ekzekutuesit e këtyre urdhrave brenda institucioneve të shtetit, do të mbahen përgjegjës para ligjit herët apo vonë. Pushtetet janë të përkohshme, shteti mbetet i përhershëm.