Abdixhiku: Visari është shembulli i njeriut që e njeh Ferizajn në rrënjë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në zyrtarizimin e Visar Azemit si kandidat i kësaj parti për kryetar të Komunës së Ferizajt.
Me këtë rast, ai ka lavdëruar Azemin duke thënë se është shembulli i njeriut që e njeh Ferizajn në rrënjë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai është shprehur optimist për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Jemi mbledhur në Ferizaj – qytetin që në formën më të mirë të mundshme shpërfaqet gjithnjë si kryqëzim i jetës ekonomike dhe shoqërore të vendit tonë. Porta që lidh veriun me jugun, lindjen me perëndimin. Shembull i qytetit që është rritur me punë, është zhvilluar me mund dhe ka mbajtur gjithmonë gjallë shpirtin e tij të hapur e energjik. Këtu është rritur një brez i tërë që nuk është mësuar të presë dhurata nga askush, por që çdo gjë e ka ndërtuar me djersë, me mund dhe me krenari. Dhe pikërisht sepse është i tillë, ky qytet punëtor e zhvillimor meriton edhe një udhëheqje të tillë – përtej të zakonshmes, përtej klishesë. Kjo udhëheqje na vjen me Visar Azemin, kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Ferizajt”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Visari është shembulli i njeriut që e njeh Ferizajn në rrënjë; i njeh hallet e qytetarëve, të familjeve punëtore, të rinisë dhe të bizneseve të tij. I rritur mes jush dhe i zhvilluar nëpër botë, ai vjen me gjithë potencialin e një profesionisti që hap një epokë të re për qytetin. Me formim akademik në inxhinieri elektrike nga Universiteti i Prishtinës dhe studime pasuniversitare në menaxhim financiar ndërkombëtar në Universitetin e Maryland, ai përfaqëson një gjeneratë që kombinon dijen teknike me vizionin strategjik. Nga udhëheqja e organizatave e projekteve të mëdha deri tek përvoja e tij si ligjërues në bazat ushtarake amerikane, Visari ka treguar aftësi të veçanta për të menaxhuar, organizuar dhe frymëzuar”, ka shkruar ai.