Abdullahu: Zhvendosja e fotos së presidentit është antirugovizëm

Analisti politik Faton Abdullahu, vlerësoi se zhvendosja e fotos së presidentit të Kosovës nga kryetarja e Kuvendit të Kosovë është antirugovizëm.
“Zhvendosja e fotografisë së presidentit Thaçi nga Zyra e kryeparlamentares znj. Osmani dhe në vend të saj vendosja e fotos së ish- presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova është antirugovizëm. Thjeshtë është kështu sepse ky akt është antiinstitucional, ndërkohë që I. Rugova është shquar mu për të kundërtën”, ka shkruar Abdullahu në “Facebook”.
Sipas tij ka mënyra e procedura të tjera me të cilat mund bëhen përpjekje institucionale për ta bërë një gjë të tillë.
“Duhet të ndryshojnë aktet përkatëse juridike. Kjo qasje jo vetëm që është institucionalisht refuzuese, por është tipike populiste. Nga ana tjetër nëse znj. Osmani e inspiron aq shumë presidenti Rugova pse nuk reagoi ajo kur këto ditët e fundit, kryemnistri Kurti as nuk e përmendi presidentin Rugova as nuk shkoi te varri i tij, ashtu siç shkoi te varri i Adem Jasharit. Ky reagim nga znj. Osmani do të ishte shumë më i ndershëm dhe më përmbajtësor. Populistët në thelb janë frikacak dhe anti institucionalistë”, tha ai.