Abelard Tahiri, Hotit: Mos na tregoni kryeministër për bisedat telefonike që keni pasur, ky është degradim i madh

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka folur deputeti Abelard Tahiri, i cili ka radhitur një varg kritikash në ditën kur para deputetëve është raportuar mbi 100 ditshin e qeverisë së Avdullah Hotit, raporton IndeksOnline.
Tahiri ka thënë se teksa po dëgjonte fjalimin e kryeministrit i dukej se po fliste për një vend tjetër e jo për Kosovën.
Ai tutje ka kritikuar qeverisjen e Hotit, duke thënë se nuk po mundet të kaloj asnjë vendim dhe asnjë cështje në Kuvend.
“Nuk mund të ju kuptoj se a jeni të vetëdijshëm që nuk mund të kaloni asnjë nismë e asnjë vendim në Kuvend. Ju nuk jeni interes të krijoni dialog për opozitën e as për çështjet më fundamentale. Keni vazhduar praktik shumë të keqe duke shkurtuar buxhetin për gjyqësorin dhe prokurorinë dhe sot flisni për luftën kundër korrupsionit”, tha Tahiri.
Tahiri ka kritikuar edhe për procesin e Vetingut, duke thënë se kjo qeveri as nuk ja ka idenë se si ta qojë përpara këtë proces.
Ai ishte i ashpër ndaj Hotit, e ndaj njërës pikë të marrëveshjes së arritur në Washington duke i thënë se heqja dorë për një vit nga njohje e anëtarësimet në organizata ndërkombëtare, automatikisht i bie që po punon në kundërshtim me kushtetutën e vendit.
Për Tahirin takime e pakta fizike e telefonat e shumta të bëra nga zyrtarë të huaj me qeverinë nuk do të duhej të paraqiteshin si suksese, madje për të kjo është e turpshme.
“ Mos na tregoni sa biseda telefonike keni pasur, ky është degradim i madh. Ky është turp”, tha Tahiri.
Ai tutje iu ka bërë thirrje 60 deputetëve të pozitës, që të ju bashkohen dhe ta dërgojnë vendin në zgjedhje. /IndeksOnline