75 Mall Live Search
15:26 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2023 / A. M.

Abelard Tahiri i PDK-së kritika ndaj Kurti, pas konferencës së sotme!

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka komentuar konferencën e sotme për media të kryeministrit Albin Kurti dhe vartësit të tij, Xhelal Sveçla, të cilën e thirrën për të treguar se Kosova është në rrezik nga sulmet e reja të Serbisë.

Tahiri tha se ndonëse Kuti po ankohet për terroristin, Milan Radoiçiq, i cili kishte organizuar sulmin e Banjskës nga ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ai e ka lënë të lirë më 24 shtator që të ikte drejt Serbisë.

“Albin Kurti vazhdon të ankohet për Radojçiqin, por ende nuk e ka sqaruar për publikun përse e la të lirë Radojçiqin më 24 shtator në Banjskë. Përmes dronit të institucioneve të sigurisë, kryeministri i ka përcjellë në kohë reale lëvizjet e Radojçiqit. Megjithatë, ai dhe banda e tij u lejuan të iknin dhe sot paraqesin rrezik serioz për sigurinë e Kosovës”.

Sipas Tahirit, në një anë, “Albin Kurti vazhdon të manipulojë me sentimentin patriotik, kurse në anën tjetër i lejoi korridor tërheqjeje Radojçiqit, pasi ishte koordinuar me të muaj më parë përmes shefes së grupit të tij parlamentar”.