75 Mall Live Search
10:43 / E Premte, 14 Korrik 2023 / LB

Abelard Tahiri: Ligji që u miratua mbrëmë në Kuvend, është një veprim antihistorik e antikombëtar dhe i pafalshëm!

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e ka quajtur si antihistorik e antikombëtar miratimin e Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë përmes të cilit do të hulumtohen krime lufte deri në dhjetor të 2000-tës.

“Nuk mund ta kuptoj se çfarë borxhi kaq të madh ka Albin Kurti ndaj Serbisë, aq sa interpretimet e saj politike t’ia akomodojë në norma ligjore, siç ishte rasti i djeshëm me kohëzgjatjen e hulumtimit të krimeve të luftës deri me datën 31 dhjetor, 2000.
Kur lufta ka përfunduar në qershor të 1999-tës, kush paska bërë krime lufte deri në dhjetor të 2000-tës? Cilën zonë operative e paskan në target këto hulumtime? Dukagjinin? Drenicën? Llapin? Kush qenkan ata kryerës të krimeve të luftës në vitin 2000? Komandantët, ushtarët e UÇK-së, KFORI?
Miratimi i Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë nga koalicioni Zdravo i udhëhequr nga Albin Kurti, gjatë seancës së errët të ditës së djeshme, përmes së cilave pretendohet të hulumtohen krime lufte deri në dhjetor të 2000-tës, është një veprim antihistorik e antikombëtar dhe i pafalshëm, përmes së cilit legalizohet kërkesa e kamotshme e Serbisë.
Se këtu ka një koordinim për akomodimin dhe amnistinë e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, tash është mjaft e qartë dhe ky koordinim po jep frytet e para. Në këtë vijë, Albin Kurti dhe Milan Radojçiqi dje u kujdesën edhe për përuljen e padinjitetshme që Qeveria “Zdravo” ua bëri veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me largimin e tyre nga kompensimi paralel me pagën minimale.
Ku jeni nisur kështu? Kah po shkoni? Çfarë borxhi keni ndaj Serbisë?” shkruan Tahiri në reagim./Indeksonline/