Abelard Tahiri nga tubimi me veteranë: Më 28 dhjetor, bashkë do ta çojmë Kosovën përpara
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka marrë pjesë në një tubim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka theksuar rolin vendimtar të tyre në historinë e lirisë së Kosovës dhe rëndësinë e respektit të përhershëm ndaj sakrificës së tyre.
Tahiri theksoi se veteranët e UÇK-së janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi, duke nënvizuar se pa sakrificën e tyre nuk do të kishte liri.
“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi. Janë ata që u ngritën në kohën më të vështirë, që sakrifikuan gjithçka dhe që na sollën lirinë. Për ta, respekti është i përjetshëm,” u shpreh Tahiri.
Ai shtoi se angazhimi i tij politik është i lidhur ngushtë me ruajtjen e vlerave të luftës dhe ndërtimin e së ardhmes së Kosovës, bashkë me ata që e fituan lirinë.
“Më 28 dhjetor, bashkë me veteranët e UÇK-së, do ta çojmë përpara Kosovën,” deklaroi Tahiri.
Tubimi u vlerësua si një mesazh i fuqishëm për unitet, respekt dhe përkushtim ndaj vlerave të luftës çlirimtare, në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

