10:16 / E Mërkurë, 05 Maj 2021 / k.v

Abelard Tahiri: Qëllimi i Kurtit është përbaltja e UÇK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se sa ishte opozitë, Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë qenë të ashpër kudo që iu është dhënë rasti, ndaj pagesës së rrymës së papaguar të qytetarëve serbë.

“Sot, me një lehtësi të jashtëzakonshme e me arsyetime të pabaza, qeveria e tij nuk e sheh si problem pagesën prej 11 milion eurosh të faturave të papaguara të serbëve në veri të vendit. Në vend të kësaj, ajo e bën temë shpenzimin e 1 milion eurove për mbrojtjen e ish luftëtarëve të lirisë në procesin gjyqësor në Hagë”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në Facebook.

Pra, 11 milionë euro që qytetarët nuk e kanë për obligim t’i paguajnë nga taksat e veta, sipas Tahirit, qeveria po i paguan pa bërë zhurmë dhe kjo nuk qenka kurrfarë problemi, ndërsa 1 milion euro që Kosova i ka marrë si obligim me Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të të Akuzuarve nga Dhomat e Specializuara, u dashka të bëhen temë e problem.

“Nëse ka diçka të paligjshme e të pavend, është shpenzimi i 11 milion eurove për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në veri të vendit, sepse për të jo vetëm që nuk ka ligj, por ka edhe vendim gjyqësor që e shpallë të jashtëligjshme. Por ligjshmëria nuk është qëllimi i Kurtit. Përbaltja e UÇK-së, po”, ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së.

Sipas tij, kjo është logjika e mbrapshtë e kësaj qeverie që përdhosë dinjitetin e luftës sonë për çlirim, përderisa amniston makro zhvatjen e vërtetë të parave të taksapaguesve kosovarë.

“Nuk dua dhe nuk kam dashur të besoj se qeveria e vendit tim, do të vihej në linjën e njëjtë me ata që duan ta rishkruajnë historinë e lavdishme të UÇK-së. Fatkeqësisht ajo po e dëshmon këtë me këmbëngulësi”, ka deklaruar Tahiri./IndeksOnline/