11:28 / E Enjte, 24 Shkurt 2022 / OSH

Abixhiku kërkon që Qeveria të konsultohet me Komisionin e Venecias lidhur me projektligjin për pasurinë e pajustifikueshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë vërejtjet e tij në lidhje me Byronë për Konfiskimin për Pasurisë.

Ai ka kërkuar që propozimi për këtë Ligj të dërgohet për konsultim në Komisionin e Venecias, pasi ka përplasje me Kushtetuesen e Kosovës dhe nëse miratohet kështu, ai do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Ky Projektligj në formatin e tanishëm do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese, dhe ky nuk duhet të jetë qëllimi juaj sot. Dërgojeni fillimisht në Komisionin e Venecias për mendim, ky për neve është parakusht, e nëse nuk e dërgoni atëherë tregoni se nuk e keni përnjëmend”, tha ai.

Abdixhiku pohoi se janë pro miratimit të këtij Ligji dhe se ata si LDK dalin vullnetarë t’u verifikohet pasuria, por me disa ndryshime.

“I gjithë grupi ynë, ofrohemi vullnetar që ky verifikim të nis nga ne. Meqë jemi të zëshëm që e mbështesim idenë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, meqë s’kemi çfarë të fshehim dhe jemi të hapur, më lejoni të jap vërejtjet në lidhje me këtë”, u shpreh ai.