12:04 / E Enjte, 26 Prill 2018 / indeksADMonline

Abrashi pret vendim të drejtë nga Kushtetuesja

Arban Abrashi, kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale, përmes një konference për media ka adresuar kritika ndaj qeverisjes komunale të drejtuar nga Shpend Ahmeti.

Abrashi, i cili me një përqindje të vogël kishte humbur nga Ahmeti në balotazhin e nëntorit të vitit të kaluar, shpreson se Gjykata Kushtetuese do të vërtetojë se në zgjedhjet për Prishtinën, janë shkelur të drejtat e tyre.

“Ju e dini ankesën tonë në Gjykatë Kushtetuese, ne presim një vendim të drejtë, sepse mendojmë që të drejtat tona kushtetuese janë shkelë, nuk bëjmë fare presion, vetëm shpresojmë që kushtetuesja do ta vërtetojë shkeljen e të drejtave kushtetuese dhe të kemi një vendim meritor nga ajo”, tha Abrashi.

Abrashi ka përmendur edhe tre mujorin e parë të këtij viti të kompanisë së pastrimit, duke thënë se ajo ka dështuar pasi është marrë në menaxhim nga komuna.

“Derisa vitin e kaluar në tre mujorin e njejtë kompania “Pastrimi” ka inkasuar diku rreth 615 mijë euro për tre muaj, këtë vit Komuna pasi e ka marrë këtë kompetencë ka arrit t’i inkasojë vetëm 133 mijë euro, pra po flasim për diku rreth 400 mijë euro më pak, vetëm me një pozicion, mos të flasim te pozicionet e tjera se e përmenda kemi një ulje drastike të të hyrave që madje kjo reflekton edhe në buxhetin e përgjithshëm”, u shpreh Abrashi.

Sipas Abrashit, përderisa të hyrat kanë shënuar rënie, shpenzimet për mallra dhe shërbime janë arritur.

Ai ka folur edhe për rënie të subvencioneve nga komuna.

“Çka është më së keqi aty ku me të vërtetë duhen mjetet te qytetarët për shërbime sociale, edhe për subvencione, këto kanë ra drastikisht në tre mujorin e parë, krahasuar me tre mujorin e parë të vitit të kaluar, dhe po flasim për një zvogëlim prej 32 për qind të subvencioneve”, u shpreh Abrashi.

Deputeti i LDK-së ka thënë se gjendja nuk po duket e mirë, dhe se Komuna është në gjumë.