Abuzimet e bizneseve me çmimet në treg aktivizojnë Inspektoratin e Tregut (Video)

Abuzimet e bizneseve me çmimet e produkteve në treg po vazhdojnë. Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët duhet të paguajnë një produkt me çmim tjetër tek arka, ndryshe sa figuronte në raft.
Ekipi i IndeksOnline ka përcjellë nga afër kryeinspektoren e tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lebibe Haliti me ekipin e saj në terën gjatë një inspektimi në njërën prej bizneseve të kryeqytetit.
Haliti bëri të ditur se ky biznes i cili është inspektuar i përmbahet obligimeve ligjore.
“Sot jemi bashkë më inspektorët e tregut në një pikë shitëse me pakicë të produkteve ushqimore dhe higjienike dhe jemi duke e bërë verifikimin e çmimeve raft-arkë me fokus përndryshe edhe obligimet e ndryshme ligjore që i ka secila pikë shitëse me pakicë e këtyre produkteve. Deri me tani vërehet se ky biznes i cili është inspektuar i përmbahet obligimeve ligjore. E kishim një produkt i cili do të verifikohet më tutje a është në përputhje me çmimin e vendosur në rafte-arkë, përndryshe obligimet e tjera ky biznes i ka konform legjislacionit në fuqi”, ka bëre të ditur Haliti.
Ajo ka treguar shifrat e gjobave të cilat u shqiptohen bizneseve që abuzojnë me çmimet e që sipas saj shkojnë deri në 10 mijë euro. Këtë vit sipas saj janë shqiptuar 146 gjoba prej 1040 ankesave të pranuara nga konsumatorët.
“Gjobat janë deri në 10 mijë euro për mospërputhje të çmimeve dhe inspketorati i tregut deri më tani i ka konformë legjislacionit në fuqi 146 gjoba dhe 20 raste të tjera janë dërguar në gjykatën kompetente”, tha ajo.
Kryeinspektorja e tregut ndër të tjera bëri një krahasim me vitin e kaluar, ku këtë vit thotë se ka pasur abuzime me çmimet më së shumti.
Haliti tregojë se ankesa nga qytetarët pranojnë çdo ditë, prandaj puna në teren e Inspektoratit të tregut është e shtuar. Por ajo theksojë së për shkak të mungesës së inspektorëve janë duke bashkëpunuar me inspektorët e tregut me nivel komunal.
“Abuzime me çmime ose mashtrim të konsumatorit edhe ankesa të konsumatorit kemi të cilët i pranojë çdo ditë por edhe në bazë të planit të punës të cilën e hartojnë Inspektorati i Tregut çdo vit inspektojmë gjithë operatorit ekonomik në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Për shkak të mungesës së inspektorëve këto aktivitete i realizojmë edhe në bashkëpunim me inspektorët e tregut në nivel komunal. Deri më tani kur po flasim në muajin tetor kemi mbi 1040 ankesa nga konsumatorët dhe shkeljet e konsumatorit janë të natyrave të ndryshme. Nëse flasim duke e ndërlidh edhe më këtë lloj inspektimi që e kemi pas sot d.m.th. prej 1040 inspektimeve mbi 300 janë për mospërputhje të çmimit rafte-arkë”, ka shtuar kryeinspektorja për IndeksOnline.
Ajo ka thënë së vitin e ardhshëm qeveria ka premtuar 28 inspektorë që do të rekrutohen dhe beson se do të gjejnë një bashkëpunim të mirëfilltë.
“Inspektorët e tregut janë çdo ditë në teren dhe inspektimet realizohen në bazë të planit të punës të cilën e hartojmë çdo vit por edhe në bazë të ankesave te konsumatorëve. Numri i inspektorëve është shumë i vogël e sidomos në këtë sektorin e tregut ku edhe biznese ka më numër më të madh të cilët operojnë në Kosovë, por kemi gjetur përkrahjen nga qeveria dhe gjatë vitit të ardhshëm mbi 28 inspektorë do të rekrutohen dhe jemi në proces të reformës dhe riorganizimit të inspektoratit ku do të gjejmë një bashkëpunim më të mirëfilltë edhe me nivelin komunal”, përfundoi ajo.
Ndërsa, Selatin Kaçaniku nga organizata ‘Konsumatori”, në një prononcim për IndeksOnline u shpreh i zhgënjyer me organet përgjegjëse, për mosmenaxhim të duhur në lidhje me abuzimet e çmimeve që po ndodhin në Kosovë.
“Është për kokë dhimbje. Nëse një problem nuk zgjidhet, automatikisht bie dyshimi mbi atë që e kanë mandatin me zgjedh problemin. Kësaj radhe të Ministrisë së Tregtisë, bashkë me Infrastrukturën e cilësisë dhe Inspektoratin, por i bie hise edhe Qeverisë. Nëse një problem nuk e zgjedh i mandatari, d.m.th. është i implikuar drejtpërdrejt. Tani më kanë filluar t’i digjitalizojnë çmimet, i njëjti çmim që është në rafte, është në arkë dhe kudo. E kemi një pishtarë në këtë mes, por çuditërisht as MINT-i as Inspektorati, as Qeveria nuk kanë reaguar” bëri të ditur ai.
Kaçaniku theksojë se ky pretendim për ulje të çmimeve me 0.99 centë është pretendim abuziv. Sipas tij nëse kompania nuk është e përgatitur që t’i kthejë 1, 2 cent atëherë është reklamë joefektive për konsumatorët.
“Me këto mos kthyrje të kusureve, më këto manipulime të çmimeve të 0.99, humbin brenda vitit rreth 50 milionë euro. Dhe kjo shifër kaq e madhe askujt nuk i ka bërë përshtypje, plotësisht jemi të pa interesuar, qoftë ne si konsumatorë sepse turpërohemi për të kërkuar 2, 3 centin. Çdo kush që luan me 0.99, duhet paraprakisht të jetë i përgatitur, nëse nuk e ka 1 cent, atëherë ajo reklamë është abuzive, ai pretendim për ulje të çmimeve është pretendim abuziv”, theksoi Kaçaniku për IndeksOnline.