14:46 / E Enjte, 07 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Abuzimi me 14 vjeçaren në Kavajë, djemtë rrezikojnë 25 vite burg

Shtatë djemtë në hetim për abuzimin seksual me vajzën 14 vjeçare në Kavajë janë në hetim për veprën penale parashikuar në nenin 100 fraksion dy i cili thotë: Kur marrëdhënia seksuale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin dënohet me burgim jo më pak se njëzet e pesë vjet.

Më 4 shkurt 2019, 8 adoleshentëve u është firmosur masa e arrestit burg nga gjyqtarja Nurjeta Tafa e Gjyjkatës së Durrësit. Për 5 nga djemtë nën hetim, A, H, C, B dhe D u është ngritur akuza “marrëdhënie seksuale me të mitur “më shumë se një herë. Shtatë djem janë të arrestuar ndërsa eshte shpallur në kërkim djali H. Vajza ka identifikuar në polici personat që kanë abuzuar me të.

Pala mbrojtëse e të miturit A ka kërkuar që të vihet një masë sigurie më e butë me pretendimin se ishte i sëmurë por gjykata e ka hedhur poshtë.

“Nuk mund të mos mbahet parasysh nga gjykata edhe dyshimi se i mituri A ka qenë duke planifikuar që e mitura të kryente marrëdhënie edhe me persona të tjerë kundrejt pagesës dhe me paratë që do të merrte do të blinte lojëra, fakt ky i cili përveçse është deklaruar nga e mitura është pohuar edhe nga personi nën hetim, i mituri H” thuhet në vendimin e gjykatës.

Djemtë akuzohen për veprën penale parashikuar në neni 100/2 i K. Penal i cili parashikon vetëm dënimin me burgim me një minimum prej jo më pak se 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

Burime nga grupi hetimor bënë me dije për “BalkanWeb” se të gjithë djemtë e arrestuar e kanë pranuar që kanë kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur.

Ata kanë thënë se e merrnin vajzën në shtëpinë e tyre pas përfundimit të shkollës. Pasi përfundonte njeri, të nesërmen shkonte në shtëpinë e një djali tjetër pasi i bënin presion vajzës me videon që posedonin.

Kjo gjë ndodhte kur në banesat e tyre nuk kishte njeri dhe kur prindërit e tyre ishin në punë. Policia dhe prokuroria ka marrë në pyetje mësuesen kujdestare, drejtoreshën e shkollës por kanë deklaruar se nuk dinin gjë.