18:57 / E Shtunë, 02 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Abuzuesi i Fondit “Vendlindja thërret”: Do të isha shumë krenar pot a vrisja Ahmet Krasniqin

Ibrahim Kelmendi, një veprimtar i hershëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe drejtues i Fondit Vendlindja Thërret, në një koment në Facebook ka shkruar se do të ndihej krenar po të kishte gisht në vrasjen e gjeneralit Ahmet Krasniqi.

“Ramadan, shqip e shkurt: fatkeqësisht nuk kam bërë as plan për të vrarë shqipfolësa! Do të isha krenar po të kisha sadopak kontribut konkret në vrasjen e Ahmet Krasniqi, akoma më shumë po ta kisha vrarë vet, sepse aty e tutje FARKU nuk dërgoi më brigada diversante në Kosovë, si gjatë verës 1998, për të bërë krime mostruzoe kundër shqiptarëve dhe për ta luftuar UÇK-në për interesa të Serbisë pushtuese”, ka shkruar Kelmendi.

Kolonel Ahmet Krasniqi, u vra në mes të Tiranës, në pikun e luftës së Kosovës më 21 shtator të vitit 1998, pak para mesnate.

Ai ishte ministër i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) që i përgjigjej qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit. Ky grupacion kishte ndihmuar luftën çlirimtare në Kosovë, por që shpesh kishte pasur përplasje me drejtuesit e UÇK-së.

Ndryshe Ibrahim Kelmendi njihet si veprimtar i hershëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Derisa bashkëveprimtarët e tij janë në krye të skenës politike sot në vendin tonë, Kelmendi është i tërhequr nga politika aktive.

Gazeta Insajderi më herët ka raportuar lidhur me mashtrimet që janë bërë në emër të fondit Vendlindja Thërret gjatë dhe pas luftës në Kosovë.