75 Mall Live Search
14:58 / E Mërkurë, 24 Mars 2021 / A. A

Ademi dje ishte prezent në stërvitjen e Kosovës, sot duhet të paraqitej në gjyq por shkoi në Turqi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nuk u paraqit sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Avokati i Ademit e arsyetojë mungesën e Ademit, duke thënë se klienti i tij ka udhëtuar në Turqi për shkaqe shëndetësore të një familjari.

Burime të Indeksonlinet bëjnë të ditur se Ademi javën e kaluar ishte afër familjarit të tij në Turqi, por pak ditë më parë ai erdhi në Prishtinë.

Madje, kryetari i FFK-së dje ishte prezent në seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës, në Hajvali.

Ndryshe, seanca është shtyrë për një kohë të pacaktuar, kurse palët do të njoftohen për datën e mbajtjes së saj.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin.

Ata kanë detyruar atë të bënte veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 eurosh, apo një veturë të tipit “BMW” X5, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

/Indeksonline/