75 Mall Live Search
08:21 / E Shtunë, 06 Shtator 2025 / Gj Sh

Ademi pas humbjes nga Zvicra: Nuk ishte nata jonë, ishte humbje e dhimbshme

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar pas humbjes së Kosovës nga Zvicra, me rezultat 4-0.

Ai përmes një statusi në Facebook, ka thënë se nuk ishte nata jonë dhe se ishte një humbje e thellë dhe e dhimbshme, shkruan IndeksOnline.

I pari i FFK-së tha se pavarësisht kësaj humbje, Kosova ka ende punë dhe se duhet të reagojmë fuqishëm në ndeshjet e ardhshme.

Postimi i plotë:

Sonte nuk ishte nata jonë në Bazel. Një humbje e thellë dhe e dhimbshme për Dardanët tanë, që tregon se ende kemi punë përpara dhe se duhet të reagojmë fuqishëm në ndeshjet e ardhshme.

Kjo humbje na dhemb të gjithëve, por duhet ta pranojmë se edhe netët si kjo janë pjesë e futbollit. Gjithsesi, kjo është vetëm një betejë e humbur dhe jo fundi i rrugës. Kam besim te këta djelmosha dhe sigurisht se do të nxjerrim mësime  dhe do të rikthehemi më të fortë në sfidat që na presin.

Ajo që mbetet vlerë e madhe është përkrahja e jashtëzakonshme e bashkatdhetarëve tanë, të cilët së bashku me tifogrupin “Dardanët” edhe kësaj here e mbushën pjesën dërrmuese të stadiumit dhe na qëndruan pranë deri në fund. Për këtë mikpritje dhe dashuri të pakufijshme për Kosovën, ju jam thellësisht mirënjohës.

Dardanët tanë kanë nevojë për mbështetje pikërisht në situata të tilla, andaj ftoj tifozët e mrekullueshëm që të përkrahin fuqishëm këta djem në ndeshjen e së hënës kundër Suedisë.

Forca jonë më e madhe është uniteti. Vetëm kështu mund të rikthemi pas një mbrëmje si kjo dhe të vazhdojmë të kërkojmë suksesin e shumëpritur.

Këta djem kanë ditur të na bëjnë krenarë dhe secili që e njeh futbollin e dinë se ka ngritje dhe ulje. Uroj që rikuperimi i ekipit të jetë i shpejt, pasi përpara kemi sfida të tjera dhe jam i bindur se me punë, disiplinë dhe besim do të arrijmë të rikthehemi fuqishëm.

Kombëtarja është e të gjithëve dhe duhet ta mbështesim në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira.