16:27 / E Mërkurë, 05 Tetor 2022 / Gjelbrim

Ademi pas vizitës së Boban: FFK ka fituar respekt në instancat e futbollit ndërkombëtar

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për vizitën e shefit të futbollit në UEFA, Zvonimir Boban.

Legjenda kroate dhe ish futbollisti i Milant ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë disa ditë pas vizitës së presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, shkruan IndeksOnline.

Ademi tha se vizitat e fundit dëshmojnë respektin që FFK ka fituar në instancat e futbollit ndërkombëtar.

”Vizitat e personaliteteve të tilla me ndikim në futbollin evropian e botëror, dëshmojnë respektin që FFK ka fituar në instancat e futbollit ndërkombëtar, janë të rëndësishme dhe i sjellin të mira futbollit dhe vendit tonë.”, ka shkruar Ademi.

Boban gjatë vizitës së tij në Kosovë, është takuar me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çekun, dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.

Legjenda kroate është takuar edhe me KE të FFK-së dhe me gjeneratën e artë të futbollistëve, ka vizituar Kampin Nacional në Hajvali si dhe ka vendosur lule te shtatorja e legjendës, Fadil Vokrri, teksa së bashku me Agim Ademin ka marrë pjesë në ndeshjen Kosovë – Itali, në kuadër të turneut kualifikues Euro 2023 për Kombëtaret U17, që po organizohet nga FFK-ja./IndeksOnline/