75 Mall Live Search
19:10 / E Hënë, 24 Nëntor 2025 / B XH

Aderimi i Demaliajt në PDK, jep dorëheqje kandidati për kryetar komune

Aderimi i Shkumbin Demaliajt në PDK nuk ka kaluar qetë në Degën e kësaj partie në Deçan.

Kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj Komune në zgjedhjet e fundit lokale, Jetmir Prekalla, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Prekalla ka shkruar se pas një reflektimi të thellë, e diskutimit me të gjithë ata që e mbështeten pa kushte, ka marrë vendim për t’i ndarë rrugët me PDK-në, raporton IndeksOnline.  

“Me zhgënjim të madh marr vendimin tim për të ndarë rrugët me partinë që për të dhashë gjithçka e asnjëherë nuk mora asgjë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

DORËHEQJE

Pas një reflektimi të thellë, e diskutimit me të gjithë ata që më mbeshtetën pa kushte, me zhgënjim të madh marr vendimin tim për të ndarë rrugët me partinë që për të dhash gjithçka e asnjëherë nuk mora asgjë.

Me ketë rast dua të njoftoj se kam paraqitur dorëheqjen nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike të Kosovës – Dega në Deçan dhe nga anëtarësia në parti.

Ky nuk është një hap i lehtë, por është i domosdoshëm. Nuk dorëhiqem për interesa personale, as për pazare politike. Dorëhiqem sepse parimet e mia nuk përputhen më me drejtimin, vendimmarrjen dhe kulturën e brendshme të partisë.

Nuk jam njeri që hesht kur sheh padrejtësi, stagnim dhe mungesë vizioni. Nuk pranoj të jem pjesë e një strukture ku zëri i sinqertë shpërfillet, ku merita matet me rrethin e ngushtë, e jo me punën, dhe ku premtimet bëhen për publik, por jo për t’u mbajtur.

Unë e kam kryer detyrën me nder, përgjegjësi dhe transparencë.

Me ketë rast dua të falënderoj secilin që ka punuar me profesionalizëm dhe korrektësi, të gjithë ata njerëz që kanë besuar në mua dhe me kanë mbështetur me votën e tyre gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.

Unë largohem me kokën lartë, si njeri që zgjedh të ecë përpara pa kompromis në parime.

Me respekt,

Jetmir Prekalla