Administrata amerikane po shqyrton dëbimin e parakohshëm të imigrantëve nga Venezuela

Sekretarja amerikane për Sigurinë Kombëtare Kristi Noem shkurtoi kohëzgjatjen e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara për 600 mijë shtetas të Venezuelës që pritet të dëbohen ndërkohë që administrate e re e Presidentit Donald Trump po kërkon mënyra për të përshpejtuar largimin e tyre nga vendi, njoftoi ajo të mërkurën.
Sekretarja Noem i tha televizionit Fox News se ajo shfuqizoi masën e administratës së mëparshme që shtetasve të Venezuelës t’u zgjasë leja e qëndrimit për 18 muaj shtesë dhe t’u lejojë atyre qasjen tek lejet e punës përmes programit të Statusit me Mbrojtje të Përkohshme, apo TPS. Ajo la hapur mundësinë që lejet e tyre të qëndrimit të skadojnë gjatë këtij viti.
Ajo po ashtu tha se në të njëjtën kohë është angazhuar me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për të gjetur forma se si të dëbohen shtetasit e Venezuelës dhe imigrantët e shteteve të tjera, të cilat e kanë të kufizuar numrin e të dëbuarve që i pranojnë prapa. E pyetur për mundësinë që imigrantët të dërgohen në bazën e forcave detare amerikane në Gjirin e Guantanamo-s, në Kubë, ajo tha se kjo mundësi po analizohej nga administrata.
Guantanamo ka një qendër imigrantësh – e ve[antë nga burgu amerikan i sigurisë së lartë – që është shfrytëzuar herë pas here gjatë dekadave të fundit, përfshirë për të strehuar imigrantët nga Haiti dhe kubanezët që ishin shpëtuar në det.
Presidenti republikan Trump, i cili filloi mandatin e tij me 20 janar, është zotuar se do ta godas imigracionin e jashtëligjshëm dhe programet humanitare që sipas tij shkojnë përtej synimit të ligjeve amerikane. Presidenti Trump u përpoq që t’u jepte fund pothuajse të gjitha programeve që mundësojnë qëndrimin në Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të tij të parë, por përpjekjet e tij u penguan nga gjykatat federale.
Programi TPS është program për imigrantët shteti i origjinës i të cilëve është i përfshirë nga ndonjë katastrofë natyrore, konflikt i armatosur apo ngjarje tjetër e jashtëzakonshme. Ish Presidenti demokrat Joe Biden, e zgjeroi shumë programin dhe tani ai përfshin mbi 1 milion njerëz nga 17 shtete. Shumë nga këta imigrantë – përfshirë disa që kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara me dekada – mund të dëbohen nëse e humbasin statusin e tyre.