“Administrata Shtetërore shpirti i reformës ligjore”
Në ceremoninë përmbyllëse të programit për zhvillimin e lidershipit transformues të zbatuar nga RIT Kosova (A.U.K) dhe mbështetur nga USAID Besnik Tahiri ka prezantuar ndikimin e këtij programi në shërbim të zhvillimit të kuadrit të udhëheqësve institucional në fushat e zhvillimit ekonomik, politik dhe social.
Me këtë rast, Tahiri ka theksuar se ky program ka sjellë dije dhe eksperiencë të re për institucionet në fushën e politikave publike, që në procesin e reformës është synim i përbashkët që administrata shtetërore të kthehet në promotor të zhvillimit.
“Në urimin për të gjitha gjeneratat që kanë ndjekur programin, theksova se shpirti i shtetit qëndron tek administrata publike, ata janë memorie dhe vazhdimësi institucionale. Ndërkaq, të emëruarit politikë ofrojnë programin, e që pa zyrtarë të aftë dhe kredibil publikë, ai mbetet vetëm listë dëshirash.
Kjo ceremoni vjen në një moment kyç për reformat e ndërmarra në administratën shtetërore dhe strukturën e Qeverisë. Pra, pavarësisht përpjekjeve për reformë të politikave dhe legjislacionit, kapacitetet për zbatim dhe ndjekja e trendeve nëpërmjet digjitalizimit janë hapa të domosdoshëm që duhet të pasojnë këtë reformë” shkruan Tahiri në njoftim.