75 Mall Live Search
15:11 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Adrian Krasniqi, luftëtari që i vuri themel rrugës së lirisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Gjeneral Major, Adrian Krasniqi.

Në këtë akademi, ku të pranishëm ishin personalitete të jetës politike, bashkëluftëtarë e familjarë të Adrianit, u vlerësua lartë kontributi i Adrian Krasniqit për çlirimin e vendit.

Kryeministri Haradinaj, duke folur për figurën e gjeneral Adrian Krasniqit, tha se ai ishte brezi i parë i luftëtarëve, familje luftëtarësh ndër shekuj, dhe ishte njëri nga ata që i vuri themel rrugës së Kosovës për liri.

“Ai shihte shumë larg, deri në liri, deri në ditën e sotme.  Ishte nga ata luftëtarë që përveç rrugës deri në liri, kishte vizion edhe për më tutje. Ishte i formuar aq shumë jo vetëm për rëndësinë e lirisë, por edhe se çka ndodh më tutje me popullin e tij. Ai e dinte vlerën e bashkëluftëtarëve, të atyre që ishin krahë për krahë me të, por po ashtu kishte ndjesinë për të kuptuar vlerën e gjithë faktorëve të tjerë”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj, tha se Adrian Krasniqi ishte i gatshëm që përveç organizimit, përhapjes së idesë së lirisë, kishte kapacitet që farën e lirisë ta mbjellë tek shumë moshatarë, te bashkëpunëtorët, te shumë vëllezër e motra, të cilët më vonë do ta ndiqnin rrugën e lirisë, rrugën e Adrianit për t’u flijuar heroikisht.

“Duke qenë kështu, Kosova, shqiptarët në përgjithësi, e kanë obligim ta vlerësojnë dhe ta respektojnë drejtë kontributin në rrugën tonë deri në liri, të heroit të kombit Adrian Krasniqi, familjes Krasniqi, bashkëluftëtareve që janë të gjallë dhe ta kemi udhërrëfyes në perspektivën tonë si Kosovë dhe si shqiptarë”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke shënuar momentin e rënies heroike të Adrian Krasniqit dhe duke kujtuar shumë bashkëluftëtarë që nuk janë sot në mesin tonë, kryeministri Haradinaj shprehu respektin e thellë për familjen Krasniqi.

“Qofshi të nderuar për jetë e mot, faleminderit për kontributin tuaj për liri dhe shpreh respektin për të gjithë që edhe sot të punojmë për të forcuar lirinë dhe me i dhënë kuptimin lirisë tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke i falënderuar edhe të pranishmit tjerë nga viset tjera shqiptare.

Në këtë Akademi Përkujtimore, për jetën dhe veprën e gjeneral major Adrian Krasniqi folën edhe bashkëluftëtarët e tij dhe personalitete të tjera të vendit si dhe nga Shqipëria./AktivPress