Aeroplanë britanikë dhe francezë godasin një objekt të dyshuar të ISIS në Siri
Aeroplanë britanikë dhe francezë kryen një sulm ajror në Siri, duke goditur një objekt nën tokë ku dyshohet se militantët e Shtetit Islamik (IS) ruanin armë dhe eksplozivë, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe, sipas NBC.
Sipas deklaratës së Ministrisë së mbrojtjes, sulmet ndodhën në një strukturë në male, pak mbi qytetin historik të Palmiras në provincën Homs.
Britania dhe Franca janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja që lufton militantët e IS për më shumë se një dekadë.
Ministria tha se forcat britanike përdorën avionët luftarakë “Typhoon FGR4” dhe bashkëpunuan me avionët francezë në këtë sulm të përbashkët.
Avionët britanikë përdorën bomba të drejtuara “Paveway IV” për të goditur disa tunele që çonin tek objekti.

