75 Mall Live Search
19:09 / E Shtunë, 22 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Aeroporti “Adem Jashari” realizon fluturimet pa problem, tre aeroplanë nga Shkupi ateruan në Prishtinë

Kushtet atmosferike që po mbizotërojnë në vendin tonë, nuk kanë ndikuar në fluturimet e planifikuara të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.

Edhe mjegulla që tash e sa netë po mbulon territorin e Kosovës, nuk ka bërë që ndonjë aeroplan të detyrohet të anuloj fluturimin, shkruan Indeksonline.

Kështu ka bërë të ditur Driton Hyseni, menaxher i planifikimit të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka dhënë detaje për punën e Aeroportit, duke thënë se sonte janë realizuar dhjetëra fluturime.

Madje, sipas tij, tre aeroplanë që kishin pasur të aterojnë në Aeroportin e Shkupit, për shkak të mjegulles që ka rënë atje, janë detyruar të vijnë në atë të Prishtinës “Adem Jashari”. 

“Janë realizuar 30 vajtje ardhje e priten dhe 17 të tjera. Tri fluturime nga Shkupi kanë ateruar në Aeroportin e Prishtinës e priten edhe te tjera”, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq, dje Hyseni njoftoi se sot, nesër e pasnesër në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” do të mirëpriten 30 mijë qytetarë. /Indeksonline/