Aeroporti i gatshëm për fluksin pas liberalizimit të vizave, zgjeron kapacitetet infrastrukturore e njerëzore

Qytetarët e Kosovës pritet qe të udhëtojnë pa viza, nga janari i vitit 2024. Derisa kosovarët po presin që në fillim të vitit që vjen, të udhetojnë në vendet e evropës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka filluar përgatitjet për një fluks më të madh të udhëtarëve gjatë vitit 2024.
Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari” Valentina Gara ka thënë për “Indeksonline” se Aeroporti tashmë i ka shtuar kapacitetet e burimeve njerëzore, e po ashtu po e zgjëron dhe hapësirën e Terminalit për rreth 2 mijë metra katrorë, me qëllim të procesimit të një fluksi më të madh të udhëtarëve vitin e ardhshëm.
“Qysh nga tani ne kemi filluar parapërgatitjet për vitin e ardhshëm, vitin 2024, kur dhe pritet që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë pa viza. Ne kemi shtuar kapacitete e burimeve njerëzore, kemi staf shtesë, jemi duke shtuar po ashtu dhe infrastrukturën, ku do të zgjërojmë hapësiren e terminalit me diku rreth mbi 2 mijë metra katror. Po ashtu kemi shtuar dhe daljet nga terminali ku nga 8 dalje që i kemi pasur me herët, tani kemi dhe katër shtesë, që nënkupton 12 dalje. Gjithsesi jemi duke pasur parasysh dhe të gjitha kapacitetet tjera shtesë, që na duhen për procesimin e këtij fluksi të udhtarëve vitin e ardhshëm”, tha Gara.
Sipas saj ANP-së në vitin 2024 pritet të shtohen dhe dy linja të reja, për Riga dhe Izmir. Megjithëse thotë se ende është herët të thuhet për destinacione e frekuenca shtesë, Gara pohon se ka kërkesa për shtim të frekuencave për destinacionet ekzistuese.
“Ne kemi planifikuar disa linja shtesë për vitin e ardhshëm, njëra nga linjat e konfirmuara është destinacioni për Riga në Letoni. Ndërkaq kemi dhe linjen shtesë që është për Izmir edhe pse këtu nuk duhen viza. Mirëpo kemi kërkesa për shtimin e frekuencave për destinacionet ekzistuese….Shpresojmë që do të kemi linja shtesë destinacione shtesë, do të kemi frekuencëa shtesë. Mirëpo tani për momentin është herët të themi një numër të saktë apo të themi destinacione të cilat do të planifikohet. Për momentin e kemi të konfirmauara destinacionin e Rigës dhe destinacionin e Izmirit”, tha Gara.
Gara po ashtu ka folur dhe për fluksin e madh të udhtarëve gjatë vitit që shkoi dhe gjatë këtij viti, duke pohuar se ANP për momentin ka kapacitet për procesimin e diku 4 deri 4.5 milion udhëtarë brenda vitit.
“Ne vitin e kaluar e kemi arritur pothuajse udhëtarin e 3 miliontë apo 3 milion udhëtarë. Ndërkaq këtë vit presim ta arrijmë këtë shifër dhe ta tejkalojmë. Kemi pasur një fluks të madh të udhëtarëve , duke shënuar muajin korrik dhe gusht diku mbi 400 mijë udhëtarë vetëm në muajin gusht. Kemi arritur shifren 2 milion udhtarë me datën 8 gusht të këtij viti kemi pasur dhe linja dhe destinacione shtesë dhe gjatë vitit 2023….Për momentin kemi kapacitete për procesimin e udhtarëve diku rreth 4 deri në 4.5 milion udhëtarë brenda vitit”, pohoi Gara./Indeksonline/