10:01 / E Premte, 25 Shtator 2020 / indeksADMonline

Aeroporti i Helsinkit me qen të stërvitur për të detektuar pasagjerët, që mund të jenë të infektuar me Covid-19

Qentë që nuhasin lëndë narkotike dhe gjësende tjera që konsiderohen ilegale për transportim nëpër aeroporte, është diçka që prej kohësh jemi mësuar të shohim, shkruan BBC-i.

Por zyrtarë të aeroportit “Vantaa” të Helsinkit, Finlandë, kanë filluar t’i shfrytëzojnë qentë e stërtvitur (që të nuhasin) personat që janë të infektuar me COVID-19.

Një ekip vullnetarësh janë duke trajnuar 15 qen dhe 10 instruktorë si pjesë e një programi hulumtues. Qentë mund të detektojnë coronavirusin në trupin e njerëzve pesë ditë para se ata të zhvillojnë simptoma të theksuara, ka bërë të ditur Anna Hielm-Bjorkman, profesoreshë nga universiteti i Helsinkit.

“Ata janë shumë të mirë në detektimin e coronavirusit. Janë shumë afër 100 përqindëshit sa i përket detektimit të COVID-19”, ka shtuar Hielm-Bjorkman.

Pasagjerëve u kërkohet që të “fshijnë” qafën me një rrobë, e cila më pas vendoset në një kanaçe dhe qeni fillon ta nuhas. Ky test realizohet për më pak se një minutë.