16:14 / E Premte, 09 Qershor 2023 / MSH

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ LKIA bëhet anëtare e Rrjetit CSR Kosova

Duke u bërë një nga anëtarët e korporatës së Rrjetit CSR Kosova, ANP ‘Adem Jashari’ LKIA, ka intensifikuar përpjekjet e saj në përkushtimin për përgjegjësinë sociale të korporatës dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme në komunitetin ku operon.

Me këtë rast, përfaqësuesi i ANP ‘Adem Jashari’ LKIA, Kryeshefi Financiar, Gokhan Acikgoz tha: “Jemi të lumtur që jemi anëtarë të një rrjeti kaq të rëndësishëm dhe mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë investimet tona të përgjegjësisë shoqërore dhe mjedisore duke pasur parasysh përgjegjësinë filantrike dhe përgjegjësinë ekonomike”.

Ndërsa Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova, Zana Bajrami Rama shtoi, “Duke bashkuar forcat me Limak Kosovo International Airport Sh.A., ne po zgjerojmë shtrirjen dhe ndikimin e rrjetit tonë, duke na lejuar që kolektivisht të adresojmë sfidat urgjente shoqërore, dhe të punojmë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme.”

LKIA tashmë ka demonstruar përkushtimin ndaj komunitetit përmes mbështetjes së ndryshme për projektet e arsimit, artit dhe kulturës. Për më tepër, LKIA është duke punuar vazhdimisht për reduktimin e gjurmëve të karbonit dhe drejt praktikave më të mira mjedisore, duke shërbyer si një shembull i mirë i përgjegjësisë sociale.

Rrjeti CSR Kosova është një organizatë jofitimprurëse dhe joqeveritare që bashkon bizneset dhe organizatat që operojnë në Kosovë të gatshme për të kontribuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm, duke promovuar konceptin, idetë dhe duke ndërmarrë veprime që rrisin ndikimin e Përgjegjësisë Sociale të Korporatës në Kosovë.