350 raste të sulmeve nga qentë
Qentë endacakë vazhdojnë të paraqesin rrezik për qytetarët. Ndonëse shpesh është kërkuar një zgjidhje për këtë problem, një gjë e tillë nuk është bërë akoma, pavarësisht iniciativave.
Jo të rralla kanë qenë rastet, kur edhe fëmijët janë sulmuar nga këto kafshë, e ato kafshë vazhdojnë të mbrohen nga organizatat joqeveritare, të cilat kanë dalë kundër vrasjes së tyre, por si zgjidhje që të mos ndodhin vedekje e njerëzve nga qentë e shohin sterilizimin që ndalon shumimin e tyre dhe vaksinimin kundër tërbimit.
E, numri i qytetarëve që kërkuan ndihmë mjekësore në QKUK nuk ishte dhe i vogël gjatë këtij viti. Lindita Ajazaj – Berisha, u.d e drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK ka thënë për Indeksonline se deri në fund të muajit tetor kanë qenë afro 350 raste të sulmeve nga qentë, kryesisht atyre endacakë.
“Në Klinikën Infektive deri më 31.10.2019 janë trajtuar në mënyrë ambulantore 348 raste me diagnozën Vulnus morsum cani (kafshime nga qeni, zakonisht endacak e në raste të rralla edhe qeni i shtëpisë), ndërsa ka qenë vetëm një rast i spitalizuar i cili pas trajtimit është lëshuar në shtëpi”.
Infektologia, ndërkaq ka shtuar se për momentin nuk e kanë asnjë rast të spitalizuar në Klinikën Infektive.
Ndryshe, thuhet se në nivel vendi janë rreth 150.000 qen endacakë. E rreziku më i madh nga ta vjen kryesisht në sezonën dimërore./Indeksonline/