Afro gjysmë milioni euro Komuna e Deçanit angazhon një kompani për zhvillim të turizmit

Komuna e Deçanit me qëllim të zhvillimit të turizmit në fshatin Alpin Bjeshkatar ka angazhuar kompani private.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën online të e-prokurimit Komuna e Deçanit e shpërblen me kontratë kompaninë nga Prishtina “Hidro Project” me vlerë totale 413 mijë e 863 euro për 24 muaj, shkruan Indeksonline.
Për këtë projekt sipas njoftimit ka aplikuar vetëm një kompani, e cila edhe është shpërblyer me kontratë.

Ndryshe, Komuna e Deçanit është e njohur për peizazhe karakteristike malore që formohet nga malet e Prejlepit, rezervati i Kozhnjerit dhe parku malor “Pishat”, që është një vend i njohur për biodiversitet të pasur dhe specie të rralla të natyrës. Nga njëra anë bjeshkët, e nga ana tjetër lumenjtë, Lumëbardhi i Deçanit dhe Lumëbardhi i Lloçanit, shkrihen me qiellinin. Këta dy lumenj, burojnë në pjesët më të larta të bjeshkëve të Deçanit, që të këaqin syrin sa herë i shikon.
Një natyrë mbresëlënëse me shumëllojshmëri lulesh, malet e mbushura me shumëllojshmëri drurësh, e sikur të mos mjaftonte kjo, në fund të Grykës së Deçanit gjendet edhe një burim i ujit mineral.
Bjeshkët në këtë pjesë, kanë një florë dhe faunë të pasur dhe vlen për të veçuar llojet e drurëve halorë dhe gjetherënës siç janë: pishat, gështenjat që janë të përhapura në gjithë brezin e malor. Karakteristikë e këtij vendi, mbetet edhe thurja e tekstilit në gjergjef dhe është një nga traditat që praktikohet nga gratë në Komunën e Deçanit. Shamitë e qëndisura dhe shamitë e mëndafshit dhe të pambukut mund të bëhen “emër”(brand) dhe suvenirë atraktivë për turistët që vijnë të vizitojnë këto treva./Indeksonline/