75 Mall Live Search
11:12 / E Diele, 05 Dhjetor 2021 / MSH

Afganistan: Talibanët kryejnë sulme ndaj ish-forcave të sigurisë

SHBA dhe një mori vendesh aleate u kanë bërë thirrje talebanëve që t’i japin fund vrasjeve të synuara të ish-anëtarëve të forcave afgane të sigurisë.

Në një deklaratë të përbashkët, 22 vendet kërkuan që regjimi islamik të respektojë zotimin e tij për të mos dëmtuar ish-qeverinë ose personelin e sigurisë, shkruan BBC.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga raportimet për vrasje dhe zhdukje të detyruara”, thuhet në deklaratë.

Deklarata u pasua nga një raport mbi vrasjet dhe rrëmbimet nga regjimi islamist.

I publikuar nga Human Rights Watch në fillim të kësaj jave, raporti dokumentoi më shumë se 100 ekzekutime dhe rrëmbime të ish-zyrtarëve të qeverisë afgane që kur talebanët morën kontrollin e vendit gati katër muaj më parë.

Ai gjithashtu dokumentoi vrasjen e 47 anëtarëve të forcave afgane të sigurisë që u dorëzuan ose u kapën nga talebanët midis 15 gushtit dhe 31 tetorit.

Kjo u bë pavarësisht nga garancia e regjimit se punonjësit e qeverisë së mëparshme nuk do të dëmtoheshin.

Deklarata e shkurtër e përbashkët u lëshua nga SHBA dhe u nënshkrua nga MB, Bashkimi Evropian dhe 19 vende të tjera. Shtetet aleate nënvizuan shqetësimet e tyre të thella lidhur me gjetjet e raportit dhe bënë thirrje që të gjitha rasteve të vrasjeve jashtëgjyqësore dhe zhdukjeve të detyruara që të hetohen plotësisht.

Ka shumë raste të veprimeve të talebanëve që kundërshtojnë atë që kanë premtuar, teksa raportet e mëparshme humanitare kanë zbuluar gjithashtu vrasje të synuara.