14:45 / E Premte, 16 Prill 2021 / Blerim

Afrim Toverlani: Dajakun fillimisht do e ftoja te U21-shat! Nuk e pashë që kishte paraqitje me ekipin e tij…

Një nga trajnerët më të sukseshëm në futbollin kosovar, Afrim Toverlani e ka komentuar situatën e fundit të Leon Dajakut, futbollistit të Union Berlinit.

Dajaku përmes një interviste për televizionin AFTV, tregoi se ka zgjedhur Kombëtaren e Gjermanisë para Kosovës, shkruan IndeksOnline

Në një intervistë për IndeksOnline, Toverlani tha se Leon Dajaku duhet ftuar te U21-shat, pastaj te ekipi A i ‘Dardanëve’.

“Të them të drejtën nuk e di saktë situatën me Dajakun, nëse ka pasur ndonjëherë ftesë apo jo. Në fakt hyra me i shiku se sa paraqitje ka pasur këtë sezon me skuadrën e tij dhe pashë që kishte shumë pak! Unë do ta ftoja fillimisht për Kosovën U21 sepse s’ka asgjë të keqe. E pastaj do ta shihnim nëse mund të jetë edhe për Kombëtaren A”, ka thënë për IndeksOnline trajneri, Afrim Toverlani.

Ish-trajneri i shumë skuadrave në Superligën e Kosovës, tha se FFK-ja dhe vet futbollisti duhet të dalin dhe ta sqarojnë situatën para opinionit publik.

“Megjithatë po ka shumë mjegull rreth këtyre aderimeve të reja. Do të duhej që Federata e Futbollit e Kosovës dhe vet lojtari të japin sqarime se si ka qenë situata dhe pse ka vendosur të luaj për Gjermaninë”, shtoi trajneri kosovar.

Kujtojmë që Dajaku e nisi karrierën në Stuttgart. Ai luajti edhe për Bayern Munchen, kurse tani është pjesë e Union Berlin./IndeksOnline/