17:59 / E Martë, 26 Tetor 2021 / AR

Afrim Tovërlani në paraburgim, dyshohet se kanosi me thikë Shpend Ahmetin

Mbrëmë është arrestuar trajneri i futbollit Afrim Tovërlani pasi i njëjti dyshohet se me thikë e ka kanosur kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti në shtëpinë e tij.

Klan Kosova ka siguruar ekzkluzivisht nga burimet brenda policisë raportin lidhur me këtë ngjarje.

“Më 25.10.2021 rreth orës 17:50 Policia ka marrë informacionin se është raportuar një rast i kërcënimit në lagjen Nic në Çagllavicë, saktësisht në shtëpinë e kryetarit të komunës Shpend Ahmeti. Patrulla kur ka shkuar në vendngjarje i ka takuar katër burra të cilat janë bashkëpunëtorë të Shpend Ahmetit dhe trajnerin Afrim Tovërlani”.

Ishte vetë Afrim Tovërlani i cili e kishte paraqitur rastin në polici.

Gjatë kontrollimit trajnerit Tovërlani i është gjetur një thikë e cila është konfiskuar, derisa i dyshuari është dërguar në stacionin policor në Graçanicë ku edhe i është bërë alkool-testi pas të cilit ka rezultuar se ka qenë në gjendje të dehur.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti nuk është deklaruar akoma rreth këtij rasti.

Trajnerit Afrim Tovërlani i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe është transportuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.